Të mërkurën, më 13 tetor qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.
Sipas drejtorit të Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Ellek gjashtë persona janë lënduar gjatë aksionit policor.
Ai nuk specifikoi për çfarë lëndimesh bëhet fjalë sepse sipas tij, “pacientët janë në fazën e diagnostikimit”.
by TaboolaSponsored LinksYou May Like
See from miles away with this phone telescope!
ZoomPRO
“Lëndimet janë shkaktuar nga bombat zhurmuese, ata aktualisht janë në departamentin e pranimit në kirurgji. Ekzaminimi është duke u zhvilluar, që do të thotë lëndime nga bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës”, tha Elek për Radion Evropa e Lirë.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që gjenden në Mitrovicën e Veriut po raportojnë se në këtë komunë gjatë gjithë kohës po dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoabulancave. Qytetarët thonë se për më shumë se një orë është duke u dëgjuar edhe sirena e emergjencave në këtë komunë.
Policia e Kosovës është e vendosur edhe para farmacive në veri.
Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë.
Në Mitrovicë të Veriut turmat pothuajse janë shpërndarë, ndërkaq aksioni i Policisë po vazhdon edhe në Zveçan.
Në këtë komunë Policia ka reaguar me gaz lotsjellës pasi qytetarët në Zveçan hodhën në drejtim të forcave të rendit gjësende të forta.
Ky aksion, që ende po vazhdon është shtrirë në lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës, tha Policia përmes një njoftimi për media.
Sipas autoriteteve të rendit, aksioni nisi në orët e hershme të 13 tetorit dhe po vazhdon vendi dhe deri më tani janë sekuestruar një sërë mallrash, të cilat dyshohen se janë kontrabandë.
“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Bahtiri apelon për qetësi
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, përmes një shkrimi në Facebook, u ka bërë ftesë qytetarëve të Mitrovicës që të ruajnë qetësinë dhe maturinë dhe “të mos bien në grackën e strukturave kriminale serbe në komunën e veriut”.
“Vetëm duke i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe Policinë e Kosovës, mund t’i shërbejnë shtetit tonë”, ka shkruar Bahtiri.
Ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të kujdeset për sigurinë e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në komunën veriore të Mitrovicës.
Në këtë aksion, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës është e përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ndërkaq policia ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore./REL/