Gjashtë vjet nga Marrëveshja e Uashingtonit
Sot bëhen gjashtë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më 4 shtator 2020, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë zotimet për normalizim ekonomik. Ceremonia u zhvillua në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Në kuadër të zotimeve të Uashingtonit, Kosova dhe Izraeli u pajtuan për njohje të ndërsjellë. Më pas, Kosova vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin, ndërsa më 14 mars 2021 hapi Ambasadën e saj në Jerusalem.
Një tjetër pikë e dokumentit parashihte që Kosova të respektonte një moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Serbia, ndërkaq, u zotua të pezullonte për një vit fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Marrëveshja përmbante edhe një varg zotimesh në fushën e infrastrukturës, ekonomisë, energjisë, sigurisë, personave të pagjetur dhe lirisë fetare.
Më poshtë janë pikat kryesore të dokumenteve të nënshkruara nga pala kosovare dhe ajo serbe:
Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt 2020. Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për lidhjen hekurudhore Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt 2020. Po ashtu, do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësinë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port të thellë në Adriatik. Kosova dhe Serbia do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM për operacionalizimin e projekteve që përfshijnë: Autostradën e Paqes; lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare; lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë; sigurimin e financimit për mbështetjen e kredive të nevojshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; projekte të tjera dypalëshe; praninë e plotë ndërkombëtare në Beograd të Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar. Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët në Merdare. Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen nismës së atëhershme të quajtur “mini-Schengen”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019, dhe do t’i shfrytëzojnë përfitimet e saj. Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës. Palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe institucionet e tjera të Qeverisë amerikane për një studim fizibiliteti lidhur me shfrytëzimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si burim i furnizimit me ujë dhe energji. Të dyja palët do të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë. Palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të siguruara nga furnizues të konsideruar të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku pajisje të tilla tashmë ekzistojnë, ato do të hiqen në kohën e duhur. Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë dhe shkëmbimin e informacioneve. Ato gjithashtu do të angazhohen për përditësime teknologjike për luftimin e aktiviteteve keqdashëse, përmes sistemeve të siguruara nga SHBA-ja, përfshirë PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP. Palët zotohen të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, përfshirë rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e objekteve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që lidhen me Kishën Ortodokse Serbe. Zotimet përfshijnë edhe çështjen e pronave hebreje të periudhës së Holokaustit. Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet për lokalizimin dhe identifikimin e mbetjeve mortore të personave të pagjetur. Ato angazhohen gjithashtu për zgjidhje të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit, si dhe për caktimin e pikave të kontaktit në ministritë përkatëse. Palët do të punojnë me 69 vendet që e kriminalizojnë homoseksualitetin, me synimin për dekriminalizimin e tij. Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun, në tërësi, organizatë terroriste dhe të ndërmarrin masa për kufizimin e operacioneve dhe aktiviteteve financiare të tij brenda juridiksioneve të tyre. Kosova u pajtua të zbatonte një moratorium njëvjeçar, gjatë të cilit nuk do të kërkonte anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia u pajtua të zbatonte një moratorium njëvjeçar për fushatën e saj kundër njohjes së Kosovës dhe të përmbahej nga kërkesat, zyrtare apo jozyrtare, drejtuar shteteve ose organizatave ndërkombëtare për të mos e njohur Kosovën si shtet të pavarur. Moratoriumet hynë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit. Kosova dhe Izraeli u pajtuan për njohje të ndërsjellë.
Burimi: botasot.info /
Aktuale.mk
