Gjatë vitit 2025 pritet të bëhet dorëzimi i sistemeve të mbrojtjes kundërajrore nga Franca për RMV-në

Dorëzimi i sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta nga Republika e Francës në Maqedoninë e Veriut pritet të ndodhë gjatë vitit 2025.

Marketing

Në fund të vitit të kaluar, në vitin 2022, është paguar kësti i parë i prokurimit të këtyre sistemeve, ndërsa pagesat tjera do të bëhen gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025, thanë nga Ministria e Mbrojtjes, lidhur me prokurimin e paralajmëruar në shtator të vitit të kaluar.

Pajisjet e mbrojtjes kundërajrore janë në përputhje me të gjitha standardet e NATO-s, si dhe në përputhje me objektivat e kapaciteteve që Maqedonia e Veriut i ndërmerr si shtet anëtar dhe si pjesë përbërëse e sistemit kolektiv të mbrojtjes dhe sigurisë së NATO-s.

“Është një marrëveshje shumëvjeçare, në kuadër të së cilës pagesa do të realizohet në vitet e ardhshme. Në fund të vitit të kaluar, në vitin 2022, është paguar kësti i parë i prokurimit të këtyre sistemeve, ndërsa pagesat e mëposhtme do të bëhen gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025. Dorëzimi i sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të ulëta nga Republika e Francës pritet gjatë vitit 2025”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes

Maqedonia e Veriut planifikon të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes deri në vitin 2027, për të lehtësuar kalimin nga pajisjet e vjetra të epokës sovjetike, disa prej të cilave i janë dhuruar Ukrainës, në sisteme më moderne.

Sipas raportit të GlobalData “Tregu i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut 2022-2027”, derisa shpenzimet aktuale të Maqedonisë së Veriut janë të ulëta në krahasim me vendet e tjera të NATO-s, vendi po shpenzon një përqindje të lartë të PBB-së së tij në mbrojtje (1,85%) – më e lartë se disa vende me ekonomi më të mëdha si Franca dhe Gjermania, të cilat shpenzojnë përkatësisht 1.9% dhe 1.8%.

“Shpenzimet e rritura nga Maqedonia e Veriut janë ende të ulëta në terma realë, megjithatë, janë të admirueshme për sa i përket shpenzimeve të PBB-së së saj në krahasim me aleatët e NATO-s. Maqedonia e Veriut ka marrë angazhime për blerjen e pajisjeve, duke përfshirë automjete të blinduara, dhe vendi po rrit shpenzimet për blerje nëpër sektorë të tillë si lufta elektronike.” komenton William Davies, analist i hapësirës ajrore, mbrojtjes dhe sigurisë në GlobalData.

Konflikti në Ukrainë do t’i bëjë pjesët rezervë për pajisjet ushtarake të epokës sovjetike të Maqedonisë së Veriut më të vështira për t’u arritur – duke shtuar nevojën për një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes.

Duke i fokusuar përpjekjet e saj për përmirësim kryesisht në aftësitë e luftës tokësore, programet ekzistuese të modernizimit të Maqedonisë së Veriut përfshijnë blerjen e automjeteve taktike të lehta të përbashkëta dhe automjeteve të blinduara Stryker, duke treguar dëshirën e vendit për të modernizuar forcat e saj të armatosura dhe për t’i zëvendësuar ato që i ka dhënë Ukrainës.

Davis konkludoi: “Përkundër faktit se Maqedonia e Veriut ka rritur shpenzimet e mbrojtjes në vitet e fundit dhe parashikohet të vazhdojë ta bëjë këtë, ajo ka një sërë problemesh të brendshme që do të veprojnë si barriera për kompanitë që kërkojnë të hyjnë në treg. Këtu përfshihen çështjet me korrupsionin dhe keqmenaxhimin, si dhe faktin që buxheti ka kufizime të konsiderueshme.”
Përndryshe, në buxhetin për vitin 2023 janë planifikuar mjete për 200 ushtarë të rinj, pranimi i të cilëve mbaroi në fund të vitit 2022, por edhe për 300 ushtarë profesionistë, 60 oficerë dhe 120 nënoficerë.

Këtë vit planifikohet edhe pjesëmarrja në më shumë misione të NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian edhe atë me gjithsej 226 pjesëtarë të Armatës ose 111 më shumë se vitin e kaluar.

Në lidhje me rikonstruimin e objekteve dhe infrastrukturës së Armatës, në buxhetin për vitin 2023 do të ketë 10 milionë euro më shumë mjete financiare krahasuar me vitin paraprak./Portalb.