Një fletore pa shënime, pa emër dhe pa mbiemër. Në të ka vetëm njolla gjaku. Kjo fletore bashkë me një telefon celular dhe një palë syze, janë gjetur në vendin e ngjarjes, ku u rrokullis autobusi më 13 shkurt. Këto gjësende i kanë gjetur vetë banorët e fshatit LLaskarcë, edhe pse kanë kaluar tashmë gjashtë ditë nga aksidenti. Sami Fetai kontaktoi TV21 për t’i dorëzuar këto gjësende me qëllimin që të shkojnë në adresën e duhur.
“Po, sot me shokun dolëm, dolëm ta vizitojmë vendin, ku ishte ngjarja tragjike. Duke vizituar vendin aty pamë një telefon, këtë fletoren dhe këto syze, mirëpo nuk e dinim të cilit person janë. Shpresojmë të jetë gjallë personi. Do të jetë një dhimbje e madhe sikur të jetë i vdekur. Telefoni është pa bateri dhe nuk kallet, mund ta lajmëroni në FACEBOOK, ose ueb faqen tuaj, që kush të lajmërohet të vijnë ta marrin”, u shpreh Sami Fetai – Banor i fshatit Llaskarcë.
Ndërkaq Fetai me shokun e tij kanë gjetur edhe një telefon tjetër celular. Sot ata erdhën në Spitalin “8 Shtatori” për t’ia kthyer këtë telefon, personit që i takon. Ky telefon është ende funksional dhe me bateri. Kështu kanë arritur të gjejnë pronarin. Pronari i telefonit është Gorani. Ai me gëzim e pranoi telefonin që kishte humbur atë ditë gjatë aksidentit. Dhe lajmi pozitiv për miqtë që gjetën telefonin është se Gorani nga Gostivari është në gjendje të mirë.
“U gëzuam që ishte gjallë dhe na telefonuan dhe erdhëm këtu për t’ia dhënë këtë telefon. U gëzuam shumë kur tha që mirë ishte. Thash ta gëzoj edhe unë me këtë telefon, ka shokë që do ta thërrasin, do të kontaktojë më shokët e vetë e me familjen”, theksoi Ismail Aziri – Banor i fshatit Llaskarcë.
Tv21 kontaktoi me MPB-në dhe Prokurorinë Publike. Nga atje thonë se këto gjësende duhet të dërgohen në stacionin policor në Gjorçe Petrov, ku janë edhe provat e tjera materiale nga aksidenti tragjik i 13 shkurtit.