Gjithsej 38 zjarre janë regjistruar në vend në 24 orët e fundit, 24 janë shuar plotësisht, pesë janë nën kontroll dhe nëntë kanë mbetur aktive, informoi drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat Stojançe Angellov. Situata më kritike është në territorin e Makedonski Brodit.
“Zjarri që po digjet për më shumë se 20 ditë në territorin e Makedonski Brod, i cili përbëhet përgjithësisht nga dy krahë, njëri drejt Jasenit dhe tjetri drejt fshatit Belicë, është ende aktiv edhe pse zjarri në Jasen është vënë nën kontroll. Në shuarrjen e zjarrit morën pjesë punonjës para së gjithash të gjuetisë Jasen, ndërsa në anën tjetër, në anën e Belices, morën pjesë 20 pjesëtarë të Ushtrisë së Maqedonisë, zjarrfikës vendas, si dhe punonjës të Jasenit. Për fat të keq, ende po digjen pyjet me pisha në disa vende”, tha Stojançe Angelov, Drejtor i Qendrës së Menaxhimit të Krizave.
Zjarri i dytë më i madh është në territorin e komunës së Pehçevës, i cili, edhe pse u vu nën kontroll dje, tani është përsëri aktiv, por Angellov thotë se autoritetet po monitorojnë situatën.
Zjarri është ende aktiv në malin Galiçicë, ku digjet si në anën e Ohrit ashtu edhe në atë të Prespës, dhe shkakton ankth të madh tek qytetarët, veçanërisht për shkak të tymit të dendur. Duke folur për seriozitetin e zjarreve, drejtori i QMK-së gjithashtu tha se lufta kundër atyre që i ndezin zjarret duhet të jetë e ashpër.
Ai tha se do të kërkohen ndryshime ligjore për të ndëshkuar ashpër ata që shkaktojnë zjarre nga neglizhenca.
“Edhe pse është neglizhencë, ne gjithashtu do të kërkojmë ndryshime ligjore shtesë për të ndëshkuar ashpër sjelljet e tilla që kërcënojnë jetën e njerëzve çdo ditë, shkaktojnë dëme të mëdha mjedisore, por edhe dëme të mëdha materiale, si dhe shpenzimin e burimeve shtetërore dhe lokale për t’u marrë me këto zjarre”, theksoi Stojançe Angelov, Drejtor i Qendrës së Menaxhimit të Krizave.
Që nga 17 korriku, policia ka reaguar në tetë raste në lidhje me piromanët që vunë zjarre në natyrë, dhe tre ditë më parë prokuroria vendosi gjithashtu një paraburgim tetë ditor për tre persona që nxitën një zjarr më 9 gusht në fshatin Patishka Rekë të Shkupit. / Alsat.mk