Gjeniu mysliman i shkencës, i harruar nga historia

Në vitin 1979, shkencëtari pakistanez, Abdus Salam, e fitoi çmimin “Nobel” për fizikë. Puna e tij hulumtuese ishte vendimtare për themelimin e teorisë së fizikës së grimcave, e cila përdoret edhe sot, dhe gjithashtu shërbeu si bazë për zbulimin e vitit 2012 për grimcën “Higgs”, e cila u jep masë të gjitha grimcave të tjera.

Marketing

Salam ishte pakistanezi i parë që e fitoi një çmim “Nobel” dhe fitorja e tij do të duhej të ishte një moment historik për vendin. Megjithatë, 40 vjet më vonë, tregimi i tij është harruar në një pjesë të madhe nga shteti në të cilin është lindur, pjesërisht për shkak të identitetit të tij fetar.

“Salam ishte myslimani i parë që e fitoi çmimin ‘Nobel’ ”, thotë Zakir Thaver, njëri nga producentët e dokumentarit që po përgatitet për këtë shkencëtar. “Ai ishte shumë i përkushtuar ndaj rrënjëve të tij dhe përmirësimit të gjendjes së popullit të vet, saqë ishte veshur në rroba tradicionale kur kishte shkuar në Stokholm për ta pranuar çmimin”, shtoi producenti. Madje, gjatë fjalimit zyrtar, Salam e kishte cituar Kuranin.

Dokumentari do ta pasqyrojë përkushtimin e tij të palëkundur përballë tri rrethanave sfiduese: Fizikës së tij, besimit të tij dhe kombësisë së tij.
Qysh si fëmijë, Salam ishte dalluar për shkathtësitë e tij në matematikë, ndonëse jetonte në një familje të varfër. Kur u largua për herë të parë nga qyteti i lindjes dhe shkoi në Universitetin Qeveritar në Lahore, aty për herë të parë e pa dritën e krijuar nga rryma elektrike.

Gjatë shkollimit në këtë universitet, aftësitë e tij në matematikë dhe fizikë e bënë të dallohej nga shokët e klasës. Ai e fitoi bursën për të studiuar në Universitetin e Kejmbrixhit në Britani të Madhe. Megjithatë, Salam kurrë nuk e harroi vendlindjen. Pasi i përfundoi studimet e doktoratës, ai u kthye në Lahore për të punuar si profesor i Matematikës.
Pas kryengritjeve të vitit 1953, ai vendosi të largohet nga Pakistani. U kthye në Kejmbrixh, ku qëndroi disa vjet, për t’u vendosur më pas në Kolegjin Perandorak në Londër, ku dha kontribut për themelimin e departamentit të fizikës teorike.

Ndonëse refuzohej nga vendi i lindjes, ai nuk hoqi dorë nga atdheu, duke vazhduar të përfshihet në projektet kryesore shkencore të Pakistanit. Në vitin 1961, ai e themeloi programin hapësinor të këtij vendi, ndërsa në vitet e shtatëdhjeta u përfshi në përpjekjet për të zhvilluar një armë bërthamore.

Pavarësisht përndjekjes për shkak të sektit që i përkiste, përkushtimi i Salamit për vendin e tij dhe popullin e Pakistanit nuk u shua. Atij iu ofruan shtetësia britanike dhe italiane, por e mbajti shtetësinë pakistaneze deri në vdekje, shkruan BBC-ja.

Marketing