Veprat penale me motive politike shënojnë rritje në Gjermani, ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer në prezantimin e raportit vjetor. Ka “tendenca të qarta të brutalizimit”, tha ai.
Në Gjermani në vitin 2020 janë më shumë vepra penale me sfond politik se në 10 vitet e kaluara, kjo megjithëse shumica e njerëzve në vitin e pandemisë kanë qëndruar në shtëpi. Në statistikën vjetore të Zyrës Federale të Kriminalistikës, BKA që u prezantua të martën në Berlin bëhet e ditur se gjithsej ka pasur 44.692 vepra penale me motive politike, ose 8,56% më shumë se viti paraardhës.
Ka “tendenca të qarta të brutalizimit”, tha ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer në prezantimin e raportit në Berlin. Shqetësuese është “rritja e dukshme e veprave të dhunshme me motive ekstremiste të majta”, tha Seehofer. Dhuna me motive ekstremiste të majta ka një rritje me 45%, në 1526 delikte vitin e kaluar, thekson statistika. Kurse aktet e dhunës me motive ekstremiste të djathta janë regjistruar me 1.092 raste. Ndër veprat penale me motive politike, policia ka renditur ndër të tjera lëndimin trupor, shkelje të ligjit të grumbullimit dhe propagandë nxitëse. Edhe dhuna ndaj shtetit, simboleve të tij, qendrave të shëndetësisë ka shënuar rritje. Aktet e dhunës vitin e kaluar kanë pasur lidhje edhe me pandeminë e Coronës. Landet gjermane kanë njoftuar 3.559 akte dhune me motive politike që lidhen me pandeminë si shkelje të ligjit të grumbullimit apo lëndime trupore.
Edhe dhuna kundër policisë është rritur vitin e kaluar. 900 raste dhune kundër policisë, shënon statistika. Po ashtu dhuna islamiste mbetet një kërcënim serioz, tha Seehofer. Rreth 533 islamistë llogariten si të rrezikshëm. Ekstremizmi në të gjitha format mbetet një kërcënim dhe kërkon angazhimin e të gjitha instancave, theksoi ministri i Brendshëm gjerman. Judith Porath, kryetare e Shoqatës së Qendrave të Këshillimit të Viktimave u shpreh lidhur me statistikën e BKA-së, se nuk janë të plota shifrat e dërguara nga autoritetet e policisë së landeve për dhunën ekstremiste të djathtë, atë raciste apo antisemitiste. Ajo përmendi si shembull goditjen e rëndë me thikë ndaj një algjeriani që gabimisht nuk u regjistrua si sulm racist./DW/