Gjermani, na prit se erdhëm! Shifra të frikshme të shpërnguljeve

Vetëm gjatë vitit të kaluar, mbi 53.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë shpërngulur në Gjermani. Një vit më parë (2021), mbi 32.000 maqedonas janë shpërngulur në Gjermani, ku sipas regjistrimit të fundit të vitit 2022 – kanë jetuar 222.000 shtetas të Maqedonisë. Kështu thuhet në gjetjet e hulumtimit të Institutit për Politikë Publike “Arben Xhaferi”, sipas të cilës, familje të tëra nga Maqedonia po vendosin gjithnjë e më shumë të shkojnë në Gjermani dhe të vazhdojnë jetën atje. Emigrimi masiv po ndodh nga të gjitha qytetet e vendit në kërkim të një standardi më të mirë dhe të një jete dinjitoze.

Marketing

PËR DY VITE, 85.000 SHPËRNGULJE VETËM NË GJERMANI

“Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Gjermani (2022), në këtë vend jetojnë 222.000 persona me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, nga të cilët 158.000 kanë lindur në Maqedoninë e Veriut. Nga viti 2020 deri në vitin 2022, numri i qytetarëve me prejardhje nga Maqedonia e Veriut është rritur për 44%, nga 154.000 në 222.000. Rreth 32.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë larguar drejt Gjermanisë në vitin 2021, dhe 53.000 të tjerë në vitin 2022. Pra, për vetëm dy vite, 85.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë larguar drejt Gjermanisë. Me fjalë tjera, për dy vite, vendi ka humbur 4.6% të popullsisë rezidente për shkak të emigrimit masiv drejt Gjermanisë”, thuhet në hulumtimin e Institutit për Politikë Publike “Arben Xhaferi”.

Shumica e tyre që po shpërngulen shprehen se planifikojnë të qëndrojnë në Gjermani deri në pension, e më pas të kthehen, pasi shpresojnë të kthehen për një jetë më dinjitoze në pleqëri, me një pension më të lartë gjerman. Mirëpo, thonë se më së shumti varet nga fëmijët e tyre, pasi nëse fëmijët e tyre qëndrojnë në Gjermani, nuk do të donin të ndaheshin prej tyre në pleqëri. Berlini, Shtutgarti, Bavaria, Hanoveri… janë zonat ku jeton numri më i madh i shtetasve të Maqedonisë. Numri prej mbi 85.000 që lanë vatrën e tyre të lindjes dhe u shpërngulën vetëm në vitin 2021 dhe 2022, është i frikshëm në vetvete. Të dhënat se sa të tjerë janë larguar që nga fillimi i këtij viti ende nuk është publikuar, por supozohet se shifrat do të rriten edhe më shumë.

MAQEDONIA E DYTA NË RAJON ME NUMRIN E AZILKËRKUESVE NË BE

Por, jo vetëm shpërnbuljet janë të frikshme. Maqedonia është regjistruar edhe si vendi i dytë në rajon sa i përket numrit të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian. Para Maqedonisë, Shqipëria regjistroi numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE në 6-mujorin e parë të vitit, në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e Agjencisë Europiane të Emigracionit tregojnë se 4779 azilkërkues nga Shqipëria kërkuan azil në BE, pasojnë azilkërkuesit nga Maqedonia e Veriut me 3603, nga Serbia 2 570, nga Bosnja 851 dhe nga Mali i Zi 179 azilkërkues.

Tendenca e aplikimeve për azil të qytetarëve të Maqedonisë vijon tejet e lartë. Të dhënat e gjysmës së parë të vitit tregojnë për shifrat më të larta të aplikimeve për azil krahasuar me vitet e fundit. Marrë në total, aplikimet për azil në vendet e BE-së arritën 519 mijë në janar-qershor 2023, me një rritje prej 28% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Sirianët vazhduan të parashtronin shumicën e kërkesave për azil në BE. Në gjysmën e parë të vitit, depozituan 67 mijë aplikime ose 47% me pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Të dhënat tregojnë se kërkesat për azil nga Rusia ishin të larta, me rreth 12 mijë persona, ndërsa nga Ukraina afro 7 mijë vetë.

Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve është rikthyer fort pas pandemisë, teksa shqiptarët po largohen duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin nga Franca në Britani të Madhe, me gomone. Pa përjashtim në të gjithë sektorët, bizneset konsideruan mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit si sfidën më të madhe të aktivitetit vitin e kaluar. Këtë vit, largimet ishin kaq të mëdha sa konsumi ka pësuar rënie të beftë në artikuj si brumërat, sheqernat, etj. Njëjtë sikurse vendet tjera të rajonit, Maqedonia po humb miliarda dollarë nga investimet në arsim ndërsa sistemi i pensioneve po vihet në rrezik nga reduktimi i forcës së punës që paguan sigurime, ndërsa bizneset po humbin mundësitë për zgjerim nga mungesa e punonjësve. (koha.mk)