Gjermania po ndjek politika të gjelbra për prodhimin e energjisë, larg asaj ato atomike dhe të qymyrit. Një tjetër central bërthamor u nxor të enjten jashtë pune në qytezën e Filipsburgut në jugperëndim. Deri në vitin 2022, shpresohet të dalin jashtë funksionit edhe 6 reaktorë që tani janë aktivë.
Një shpërthim i komanduar rrëzoi të enjten në mënyrë spektakolare centralin e fundit atomik të Gjermanisë jugperëndimore.
Reaktori i Filipsburgut ishte një nga 17 qendrat që vendi shfrytëzon për prodhim energjie, por që qeveria ka vendosur t’i nxjerrë jashtë pune brenda vitit 2022.
Kullat e ftohjes së centralit u çaktivizuan fundvitin e kaluar pas 35 viteve në funksion.
Ato shembën në orët e para të mëngjesit për t’i liruar hapësirën transformatorit të ri që do shërbejë si pikë për shpërndarjen e elektricitetit nga veriu në jug të Gjermanisë.
Ora e shpërthimit u mbajt e fshehtë për të evituar mbledhjen e turmave në rrethanat e pandemisë, ndërsa operacioni u përshëndet nga organizatat ambientaliste.
“Shembja e reaktorit është gjë e mirë. Zhurma e shpërthimit duhet të jetë sinjal për një fillim të ri pa burime energjie të dala kohe. Energjia atomike dhe ajo me qymyr janë të vjetruara, ndaj na duhet t’u lëmë hapësirë energjive alternative, duke shembur jo vetëm këto kulla por edhe forcat që bllokojnë zgjerimin e energjisë së rinovueshme në Gjermani,” u shpreh një aktivist i organizatës “Greenpeace”.
Që prej katastrofës së vitit 2011 në reaktorin atomik të Fukushimës në Japoni, në Gjermani janë shtuar protestat kundër kësaj lloj energjie.
Ndërkohë, presioni për burime të gjelbra energjie ka shtyrë kancelaren gjermane, Angela Merkël, të parashikojë edhe mbylljen e centraleve të vendit me qymyr brenda vitit 2038, të cilat përgjatë dy dekadave të ardhshme do zëvendësojnë prodhimin e centraleve bërthamore.
Studiuesit vendës thonë se kostot e mbylljes së këtyre centraleve do të jenë të larta pasi Gjermania nuk është ende gati të përmbushë nevojat për energji me resurse elektrike alternative.