Gjermania ashpërson masat kundër pandemisë

Liderët gjermanë u pajtuan të premten që të ashpërsojnë kriteret për hyrjen në restorante dhe bare si dhe që të shkurtojnë periudhën e karantinës dhe vetizolimit për personat e vaksinuar, teksa varianti Omicron i koronavirusit po përhapet me shpejtësi në mbarë vendin.

Marketing

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe 16 udhëheqësit e shteteve gjermane, vendosën që të forcojnë kufizimet e prezantuara pas Krishtlindjes, duke kufizuar tubimin e njerëzve deri në dhjetë vetë dhe duke mbyllur klubet e natës.

Qytetarët gjermanë më herët ishte dashur që të dëshmojnë se janë të vaksinuar plotësisht në mënyrë që të mund të hynin në restorante dhe bare, por edhe në dyqane të tjera jothelbësore, teatro e kinema.

Vendimi i së premtes bën thirrje për rivendosjen e kësaj mase për restorantet dhe baret. Të gjithë personat që duan të hyjnë në këto lokale të gastronomisë tani duhet të dëshmojnë se e kanë marrë dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit ose të paraqesin një test negativ apo dëshmi se janë shëruar nga sëmundja COVID-19.

“Gjysma e popullatës do të marrë dozën përforcuese brenda disa ditësh” dhe ata do të mund të shkojnë në restorante pa treguar test negativ, u tha gazetarëve kryetarja e Berlinit, Franziska Giffey. “Kjo është një nxitje shtesë për të marrë dozën përforcuese”, shtoi ajo.

Një punëtor shëndetësor përgatit për administrim dozat e vaksinës Pfizer. Madrid, 24 nëntor 2021.
LEXONI EDHE KËTË:
Dozat përforcuese, kyçe në luftimin e Omicronit
Megjithatë, shteti lindor i Saxony-Anhalt nuk është pajtuar që të vendosë këtë masë sepse në këtë shtet shumica e rasteve janë me variantin Delta, ndërkaq përfaqësuesit e Bavarisë thanë se janë skeptikë për këtë masë.

Scholz dhe liderët e tjerë janë pajtuar që ta shkurtojnë kohën e karantinës dhe vetizolimit që aktualisht është deri në 14 ditë.

Njerëzit e imunizuar me dozën përforcuese nuk do të detyrohen që të izolohen pas kontaktit me ndonjë të infektuar. Kjo masë do të vlejë edhe për personat e vaksinuar me dy dozat apo që janë shëruar nga koronavirusi në tre muajt e fundit.

Ndërkaq, personat e tjerë do të duhet të futen në karantinë apo të vetizolohen për dhjetë ditë dhe nëse nuk kanë simptoma, mund ta shkurtojnë periudhën e izolimit në shtatë ditë, pasi të kenë dalë negativ në test për koronavirus.


“Këto janë rregulla strike, por janë pragmatike dhe kanë për qëllim që të lehtësojnë masat aktuale”, tha Scholz.

Të premten, Gjermania raportoi për 56,335 raste të reja me koronavirus. Ndërkaq, autoritetet shëndetësore thanë se 44.3 për qind e rasteve në Gjermani javën e kaluar ishin me Omicron, shifër më e lartë krahasuar me një javë më parë kur 15.8 për qind e rasteve ishin me këtë variant.