Gjermania do t’i kthejë Nigerisë qindra artefakte të plaçkitura

Thesare të plaçkitur nga Afrika dhe të shitura në muze të Europës janë kthyer në simbol të padrejtësisë koloniale.

Por tani, qindra statuja bronzi nga Benini në Forumin e Humboldt në Berlin, do të kthehen në Nigeri vitin e ardhshëm.

Kjo vjen pas një marrëveshjeje të arritur të enjten mes ekspertëve të muzeut dhe udhëheqësve politikë.

Marketing

“Ne duam të çojmë sinjalin se duam të kontribuojmë për pajtimin, me mirëkuptim dhe në respekt të palës tjetër, gjithashtu përmes ekspozitave në Forumin e Humboldt-it. Por kjo kërkon mirëkuptim edhe për restaurimin e vërtetë të statujave”, tha ministrja gjermane për Kulturën, Monika Gruetters.

Skulpturat përdoreshin për dekorimin e pallateve mbretërore në mbretërinë e Beninit, mes shekujve të 16-të dhe 18-të.

Në vitin 1897, trupat ushtarake britanike pushtuan Nigerinë dhe plaçkitën mijëra artefakte.  Më shumë se një mijë statuja bronzi janë ekspozuar në muze të ndryshme gjermane.

Nigeria planifikon të ndërtojë një muze me vlerë 3.4 milionë euro për të ekspozuar statujat e kthyera – një projekt ku do të marrë pjesë muzeu britanik.