Gjermania, e shqetësuar pas raportimeve për largimin e trupave amerikane

Zyrtarët gjermanë janë shprehur të shqetësuar pas raportimit të mediave se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të tërheqin mijëra trupa amerikane nga ky vend.

Marketing

Reagimet vijnë pasi The Wall Street Journal dhe Der Spiegel, raportuan es presidenti amerikan, Donald Trump planifikon që të bëjë tërheqje masive të trupave amerikane.

The Journal ka raportuar se 9,500 pjesëtarë të personelit amerikan do të tërhiqen, ndërkaq Der Spiegel ka thënë se ndërmjet 5,000 deri në 15,000 pjesëtarë të personelit amerikan mund të tërhiqen nga Gjermania gjatë këtij viti.

Në Gjermani janë të vendosur rreth 34,000 trupa amerikane.

“Raportet gjermano-amerikane mund të preken seriozisht nga një vendim i tillë i presidentit amerikan”, citohet të ketë thënë për agjencinë Dpa, Peter Beyer, zyrtari i Qeverisë gjermane për raportet me SHBA-në dhe Kanadanë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas është cituar nga gazeta gjermane, Bild am Sonntag të ketë thënë se dy palët vazhdojnë të jenë të interesuara që të kenë bashkëpunim të ngushtë.

“Nëse do të ketë tërheqje të disa trupave amerikane, ne do ta marrim parasysh këtë. Ne jemi partnerë të ngushtë në aleancën transatlantike. Por, kjo çështje është e komplikuar”, është shprehur Maas.

Presidenti Trump që një kohë të gjatë është ankuar se Gjermania nuk ka përmbushur zotimet e saj në NATO, për të kontribuar 2 për qind të prodhimit në ushtrinë e saj. Qeveria e kancelares gjermane, Angela Merkel, ndërkaq është zotuar se do të rrisë shpenzimet për ushtri.

Ndërkaq, Polonia ka shprehur dëshirën e saj se disa nga trupat që mund të largohen nga Gjermania, të mund të vendosen në Poloni.

The Wall Street Journal ka cituar një zyrtar amerikan të ketë thënë se SHBA-ja e kishte planifikuar kohë më parë tërheqjen e trupave dhe ky vendim nuk ka të bëjë me tensionet ndërmjet Trumpit dhe Merkelit.