Gjermania sot ka shënuar 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, teksa presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier falënderojë vendet e Evropës Lindore, që mundësuan që një revolucion paqësor të ndodhë.
Rrëzimi i Murit të Berlinit më 9 nëntor, 1989, mundësoi një revolucion paqësor në mbarë Gjermaninë Lindore komuniste, një lëvizje që u bë edhe në shtetet e kontrolluara nga Bashkimi Sovjetik në Evropën Qendrore.
“Së bashku me miqtë tanë, ne kujtojmë me mirënjohje të thellë ngjarjet që ndodhën 30 vjet më parë”, tha Steinmeier gjatë një ceremonie në Memoralin për Rrëzimin e Murit në Berlin, ku mori pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe liderët e Polonisë, Hungarisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke.
Në gusht të 1989, Hungaria hapi kufijtë dhe për herë të parë njerëzit nga Gjermania Lindore u lejuan të kalojnë në Austri, që çoi në rënien e Murit të Berlinit dhe tre muaj më vonë edhe të Perdes së Hekurt.
Steinmeir tha se sot Gjermania dhe Evropa përballen me sfida të reja.
“Demokracia liberale është duke u sfiduar dhe duke u vënë në pikëpyetje”, tha ai, duke shtuar se gjermanët dhe aleatët evropianë, duhet të luftojnë së bashkë “për një Evropë të bashkuar dhe paqësore”.