Gjermania: Gjiganti me këmbë prej argjile

Nga Danilo Taino

Marketing

Një gjë që e dinë pak njerëz, është se në vitin 2008 sistemi bankar evropian, ishte në prag të një kolapsi dramatik. Një kopalsi në kuptimin që në të gjitha gjasat, mekanizmi evropian i pagesave do të bllokohej, “dhe bankomatet nuk do të punonin më”, tha një bankier i madh italian disa javë më vonë. Një cm nga katastrofa, tha një financier për “Corriere della Sera”. Dhe ky centimetër, nuk u kapërcye vetëm falë ndërhyrjës së Bundesbank, Bankës Qëndrore Evropiane dhe Angela Merkelit.

Pas krizës së Lehman Brothers, Hypo Real Estate (Hre) – një kompani bankare me bazë në Mynih – u ndodh në një situatë dramatike. Pas disa përpjekjeve për ta shpëtuar nga ana e sistemit të kreditit të vendit, përpjekje të cilat dështuan, mbërritën në mbrëmjen midis 28-29 shtatorit 2008, në një udhëkryq: ose banka do të shtetëzohej, ose do të falimendonte, çka do të kishte pasoja dramatike, duke pasur parasysh madhësinë dhe rëndësinë e saj në treg.

Do të kishim as më shumë dhe as më pak por një krizë greke, në një shkallë evropiane. Problemi në ato orë dramatike, ishte se Ministria gjermane Financave, e drejtuar nga Per Shtajnbryk, refuzoi të ndërhynte, duke i qëndruar besnik konceptit të kuptueshëm se paratë e qytetarëve nuk mund të përdoren për të shmangur humbjet e bankierëve.

Presidenti i atëhershëm i Bundesbank, Axel Ëeber, udhëtoi me shpejtësi nga Frankfurti për në Berlin për të takuar Angela Merkel gjatë natës. E njohu me situatën dramatike, dhe vetëm atë moment kancelarja ndërhyri dhe imponoi shtetëzimin e bankës, që brenda një viti, rezultoi me një shpenzim publik prej 102 miliardë eurosh.

Ai episod, tregon se sistemi bankar gjerman ishte në ato ditë tepër i brishtë. Fatkeqësisht, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Edhe sot, i gjithë kompleksi financiar gjerman është i prapambetur, joefikas dhe pak fitimprurës, bazuar në modelet tradicionale të biznesit, që vuajnë prej kohësh nga normat e ulëta të interesit.

Dhe ky sistem ka një marrëdhënie perverse me shtetin, me qeverinë qendrore, me ato të landeve dhe me bashkitë. Diskutimi jashtëzakonisht i nxehtë i këtyre ditëve mbi bashkimin e mundshëm (dhe të sponsorizuar nga qeveria në Berlin) midis Deutsche Bank dhe Commerzbank e ilustron më së miri këtë situatë.

Sipas mendimit të shumicës së ekspertëve bankarë, ky bashkim nuk ka shumë kuptim. Do të bëheshin bashkë dy dobësi, dhe nga kjo do të krijohet një gjigant financiar shumë i ndërlikuar, që për vite me radhë do t’ja kushtonte energjitë e veta bërjes bashkë të dy realiteteve shumë të ndryshme, duke filluar me sistemin kompjuterik.

Mbi të gjitha, kjo do të krijonte qartazi një njësi shumë të madhe për të dështuar, që do të ishte e pamundur të lihej të falimentonte për efektet e rënda sistemike që do të sillte. E kundërta e asaj, që u vendos të bëhet pas krizës së vitit 2008. Fakt është, se qeveria e Berlinit është e tmerruar që Deutsche Bank, që ndodhet në në vështirësi, është vetë tashmë shumë e madhepër t’u lënë të falimentojë.

Me urdhër të ministrit gjerman të Financave Olaf Sholc, ajo ka përdorur pjesën e kapitalit që zotëron tek Commerzbank (15 për qind), për të nxitur bisedimet e bashkimit midis dy bankave të mëdha huadhënëse gjermane. Autoritetet evropiane të mbikëqyrjes janë skeptike, tregjet financiare po ashtu: nëse ke një problem të madh, s’ka asnjë kuptim ta bësh atë edhe më të madh.

Çështja është serioze. Një krizë në sistemin financiar të vendit në zemër të Evropës, do të ishte shkatërrimtar. Për më tepër, bashkimi Deutsche Bank-Commerzbank, nuk do të bënte asgjë për të zgjidhur problemet e prapambetjes strukturore, dhe dobësisë së gjithë sistemit bankar gjerman. Ndërsa Shtetet e Bashkuara, janë modeli i ekonomisë që financohet kryesisht përmes tregut të kapitalit, Gjermania është e kundërta, rasti më i dukshëm, bashkë me japonezët, i sistemit bankar-centrik. Kësisoj, “shëndeti” i huadhënësve të saj është një biznes jetik.

Në vend, ka më shumë se 1.800 banka. Ato janë duke u ristruktuar, duke mbyllur degë – të cilat janë ende 35 mijë – teksa disa prej tyre bashkohen me njëra-tjerën. Por, rezultati është shumë pozitiv. Sipas Valter Sin dhe Vilhelm Shmund, të kompanisë konsulente Bain, në vitin 2017 norma mesatare e fitimit ishte vetëm 2 për qind, dhe 1 nga 12 banka ishte në gjendje të fitonte koston e kapitalit.

Një nga arsyet, shpesh të përmendura në Gjermani, për këtë përfitueshmëri të ulët, qëndron tek norma e interest gati zero – dhe minus 0.4 për qind për depozitat e BQE – të vendosura nga Banka Qendrore Evropiane: ato nuk lejojnë të fitohet në mënyrën tradicionale, pra duke operuar me dallimin midis normave të interesit të kredive dhe normave të depozitave.

Sistemi funksionon në thelb mbi 3 shtylla prej gati 2 shekujsh, i vetmi rast i këtij lloji në Evropë, dhe vetëm paksa i ngjashëm me atë austriak. Ka banka private, të mëdha dhe të vogla që në total mbulojnë 40 për qind të aseteve financiare në sistem. Shtylla e dytë përbëhet nga bankat e kursimit, me përfshirjen e kapitalit publik, këto banka ndahet në dy nëngrupe: bankat lokale (Sparkassen) dhe rajonale (Landesbanken), por shpesh aktive edhe në nivel kombëtar. Asetet e tyre totale, janë afër atyre të kompanive private. Në fund janë edhe banka bashkëpunuese, lokale, por të mbështetura nga një qendër financiare. Jashtë tre shtyllave të larpërmendura, janë edhe bankat e specializuara, më e rëndësishmja e të cilave është Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW), një bankë shtetërore.

Më shumë se 400 banka kursimi, 7 Landesbanken, dhe ato bashkëpunuese, kanë pasur dhe luajnë një rol qendror në financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Gjermani. Të lidhura fuqishëm me pushtetin lokal (ato drejtohen kryesisht nga një politikan), që nuk është ligjërisht pronar, por ushtron një ndikim të konsiderueshëm (83 për qind e vendeve në këshillat ekzekutive zihen nga politikanët), ato konsiderohen shpesh si një shtyllë e ekonomisë.

Kriza financiare, goditi ashpër bankat rajonale, Landesbanken, duke detyruar bashkimin e disa prej tyre, ndaj sot kanë mbetur vetëm 7 prej tyre. Më shumë se 1 mijë banka kooperative, janë lloj i klubeve ku pronarët quhen anëtarë, dhe veprojnë në një mënyrë shumë të ngjashme me bankat e kursimeve: ato mbledhin para dhe e përdorin atë në favor të bizneseve dhe familjeve të zonës.

Në përgjithësi, më pak se gjysma e bankave gjermane, janë krejtësisht private dhe nxiten vetëm nga fitimi. Pjesa tjetër, publike ose kooperative, duhet të veprojë (të paktën në teori) brenda kufijve “socialë”. Kjo jep stabilitet në disa faza, por krijon probleme serioze të përfitimit në periudha të tilla të normave zero të interesit, dhe konkurrencës së fortë.

Sot, bankat gjermane janë më pak fitimprurëset në Evropë, me përjashtim të atyre greke dhe portugeze. Deutsche Bank dhe Commerzbank, përbëjnë ndoshta një problem. Por në botën pas krizës, sistemi i tre shtyllave dhe fuqia e tepruar e shtetit, ndoshta është diçka e tejkaluar. Duhet bërë shumë më tepër.

“eastwest.eu” – bota.al