Gjermania: Jemi në dijeni për Open Balkan, mbështesim Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal

Qeveria gjermane e konsideron si “detyrë urgjente” jetësimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratuar në samitin e Sofjes në 2020.

Marketing

Në një përgjigje me shkrim për Deutsche Wellen, një zëdhënës i qeverisë gjermane kujton se “krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të “Procesit të Berlinit”, më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, pohuan përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.”

Ai shton se marrëveshjet e katër lirive duhet të nënshkruhen deri më 6 tetor të këtij viti, kur të zhvillohet samiti i ardhshëm i BE-së me Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që “të arrihen përmirësime të prekshme për qytetarët e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Marrëveshjet e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, janë miratuar në parim nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të rregullojnë lirinë e lëvizjes me karta identiteti, hyrjen, lëvizjen dhe qëndrimin për shtetasit e vendeve të treta, njohjen e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët si edhe njohjen e diplomave universitare.