Gjermania: Kosova burim infeksioni

Gjermania ka identifikuar Kosovën si një ndër vendet që po përhapin infeksionin e koronavirusit. Numri i rasteve të reja ka arritur nivelet e muajit prill dhe përpjekjet për vaksina pritet të japin fryt vetëm vitin e ardhshëm.

Marketing

Gjermania raporton një dyfishim të rasteve me koronavirus në tri javët e fundit, dhe kancelarja Angela Merkel paralajmëron se nuk do ketë lehtësime të mëtejshme të masave kufizuese.

Të mërkurën, numri i personave të konfirmuar me kovidin-19 u rrit me mbi 1,500 duke e çuar totalin në 226 mijë.

Sipas autoriteteve, 39 % e rasteve mësohet se u importuan nga jashtë dhe si vatra kryesore të infeksionit janë identifikuar Kosova, Kroacia dhe Turqia.

“Jemi në mesin e pandemisë. Virusi është mes nesh edhe pse i padukshëm. Vëmë re se shtimi i lëvizjeve dhe i kontakteve mes njerëzve po i rrit rastet e reja. Këtë trend duhet ta ndalim,” u shpreh kancelarja Merkel.

Për vendin, prioritet mbetet vazhdimi i aktiviteteve ekonomike dhe ruajtja e vendeve të punës.

Kur raportohen më shumë se 9 mijë jetë të humbura nga virusi në Gjermani, vëmendje po i kushtohet edhe përgatitjes së medikamenteve dhe vaksinave antikovid.

Me përfundimin me sukses të fazës së tretë të testimit te njerëzit, autoritetet kanë shpresë se mund të vaksinojnë në masë gjermanët e parë duke nisur nga fillimi i vitit të ardhshëm.