Qeveria gjermane njoftoi sot se planifikon të lehtësojë rregullat ligjore për hyrjen e emigrantëve që vijnë nga vendet jashtë BE-së, me qëllim që të mundësojë ardhjen e punëtorëve të kualifikuar që i duhen Gjermanisë.
Qeveria ra dakord për një projektligj që do të ndihmonte migrantët e mundshëm nga jashtë BE-së me njohjen e aftësive dhe kualifikimeve.Mungesa e punëtorëve kërcënon planet ambicioze të Gjermanisë për të inkurajuar futjen e burimeve të rinovueshme të energjisë, u tha gazetarëve ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, shkruan Euronews.
Habeck theksoi se Gjermania e dinte prej vitesh se do të kishte një problem demografik.Ndërsa, ministri gjerman i Punës Hubertus Heil tha se Gjermania ka punë të shkëlqyera për të ofruar dhe se duhet të forcojë imazhin e saj jashtë vendit dhe vlerësoi se është në interesin e Gjermanisë të paraqitet si një shoqëri kozmopolite. Propozimi ligjor, meqë ra fjala, duhet të diskutohet dhe miratohet nga parlamenti gjerman.
Ekspertët thonë se Gjermania ka nevojë për rreth 400,000 punëtorë migrantë të kualifikuar çdo vit, veçanërisht për të plotësuar vendet e lira të punës në fushën e kujdesit shëndetësor, IT dhe ndërtimit, njoftoi agjencia amerikane.