Gjermania do të kërkojë që në paketën e gjashtë të sanksioneve të BE kundër Rusisë të vendoset edhe embargoja e naftës. Ndërkohë ka filluar evakuimi i civilëve nga kombinati Azov.
Gjermania kërkon që në paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë të vendoset edhe embargoja e naftës, është shprehur ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock. Para disa javësh e dinim, se sanksionet e menjëhershme energjitike nuk mund të mbaheshin dot në fuqi më shumë se 1 muaj, por tani jemi përgatitur, pasi sanksionet kundër Rusisëmund të zgjasin edhe disa vite. Kështu është shprehur politikanja e Të Gjelbërve në një intervistë për televizionin e parë gjerman, ARD. Sanksionet mund të hiqen, vetëm kur Rusia të ketë tërhequr plotësisht trupat e saj nga Ukraina.
Sanksionet e reja kundër Rusisë mund të vendosen që të mërkurën e kësaj jave, thuhet nga qarqet diplomatike në Bruksel. Për të bindur ende vendet skeptike, parashikohet zbatimi me disa faza i sanksioneve. Kështu vendeve anëtare të BE do t’i jepen gjashtë deri në tetë muaj kohë për të diversifikuar burimet e tyre të naftës. Si vend bllokues kundër sanksioneve konsiderohet Hungaria. Kreu i qeverisë hungaraze me lidhje të afërta me Kremlinin, Viktor Orban bëri të ditur pas rizgjedhjes së tij në fillim të prillit, se do të vendosë veto kundër embargos energjitike. Rusia eksporton dy të tretat e naftës së saj në BE. Mbështetësit e embargos argumentojnë, se Kremlinit përmes një hapi të tillë do t’i hiqej një burim i rëndësishëm të ardhurash për financimin e luftës në Ukrainë.
Ndërkohë në Mariupol ka filluar aksioni i evakuimit të civilëve nga kombinati i çelikut Azov i rrethuar nga forcat ruse, pas disa përpjekjeve të dëështuara më parë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri fjalë për një “grup me rreth 100 persona” që të dielën u dërguan në siguri. Në këtë aksion marrin pjesë Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq. Zelensky është shprehur se shpreson këtë të hënë që “të gjitha kushtet të jenë përmbushur që edhe më tej të evakuohen njerëzit nga Mariupoli”, tha presidenti ukrainas në një videomesazh. “Ne do të vazhdojmë edhe më tej të bëjmë gjithçka për të evakuuar njerëzit tanë nga Azovi dhe i gjithë Mariupoli.”
Kurse Ministria e Mbrojtjes në Moskë ka deklaruar, se “falë iniciativës së presidentit rus, Vladimir Putin”, 80 civilë që “mbaheshin nga nacionalistët ukrainas” në territorin e kombinatit janë dërguar të dielën në fshatin Besimene që ndodhet nën kontrollin rus. Aty civilët kanë marrë ushqim dhe kujdesin shëndetësor. Civilët që “dëshironin të shkonin në zonat e kontrolluara nga Kievi iu dorëzuan përfaqësuesve të OKB-së dhe Kryqit të Kuq”, deklaroi ministria ruse. Zona e kombinatit Azov prej 11 kilometrash ka qenë zonë luftimesh të ashpra dhe shihet si fortesa e fundit e rezistencës ukrainase në Mariupolin e shkatërruar nga sulmi rus. Mariupol konsiderohet me rëndësi nga ana strategjike. Qëllimi i deklaruar i Rusisë është krijimi i një lidhjeje tokësore me gadishullin e aneksuar të Krimesë, si edhe me rajonin e kontrolluar nga separatistët prorusë të Tranzistrisë në Republikën e Moldavisë./DW