Ndonëse për shumë gjermanë, ashtu si dhe plot njerëz të tjerë nëpër botë, nata e Vitit të Ri nuk mund të përfytyrohet pa fishekzjarre, kësaj tradite tani mund t’i vijë fundi. Vitin e kaluar, Shoqata e Industrisë Piroteknike arriti të bëjë 133 milionë euro xhiro në këtë vend. Që para vitit të ri, shumë njerëz i blejnë kapsollat apo lloje të tjera fishekzjarrësh, ndryshe nga disa vende të tjera. Në disa qytete europiane si Parisi apo Dublini, fishekzjarret hidhen në mënyrë të organizuar në disa pika në qytet dhe jo privatisht.
Por në Gjermani kjo traditë ka nisur të shihet si problematike; hedhja e fishekzjarreve ndot ambientin. Fëmijët tremben nga zhurma dhe çdo vit ka disa qindra të plagosur përmes shpërthimeve të pakontrolluara apo gabimeve në ndezjen e fishekzjarreve. Tani disa qytete në Gjermani kanë reaguar. Aacheni, një qytet pranë kufirit belg-holandez, këtë vit për herë të parë i ka ndaluar kapsollat, që hidhen me më shumë se dy metra lartësi. “Ne duam të mbrojmë godinat tona historike. Para 9 vjetësh pati zjarr në një kishë Natën e Vitit të Ri, duke e dëmtuar rëndë altarin e kishës”, thotë Linda Plesh nga bashkia e Aachenit.
Në pjesën historike të qytetit, katedralja e vjetër, shtëpitë karakteristike dhe ato antike qëndrojnë gati ngjitur me njëra-tjetrën. Tani ndalohen shumë lloje fishekzjarrësh. Në Gjermani, sipas një sondazhi të Institutit të opinionit, YouGov, tre nga katër të anketuar janë për ndalimin e plotë ose kufizimin e ndezjes së fishekzjarreve. 33% janë për ndalimin e plotë të tyre. Edhe ambientalistët apelojnë për ndalimin e plotë të fishekzjarreve. Organizata Gjermane e Ndihmës për Mjedisin (DUH) ka kërkuar nga qytetarët që të dorëzojnë peticione në komunat e tyre për ndalimin e fishekzjarreve.
Sipas DUH Nata e Vitit të Ri ndikon mjaft në ndotjen e mjedisit, me një rëndim të emetimit të grimcave të imta ndotëse me 5000 tonë brenda pak orësh. Kjo i përgjigjet afër 16% të sasisë së grimcave ndotëse që emetohen në vit nga automjetet.