Mungesa e punëtorëve për grumbullimin e shpargujve dhe luleshtrydheve në Baden të Gjermanisë mund të jetë një problem i madh. Për këtë problem është prononcuar menaxhuesi bujqësor gjerman, Hans Lehar. Ai i di disa kompani ku punëtorët e grumbullimit nuk janë paraqitur, me gjithë premtimet. “Gjatë disa viteve të ardhshme, çështja e fuqisë punëtore do të shoqërojë bujqësinë masivisht. Do të jetë një nga sfidat më të mëdha derisa ta grumbullojmë frytin tonë”, ka pohuar Lehar.
Qysh në muajin mars, shoqata kombëtare e fshatarëve për fruta, që përfaqëson rreth 3200 fermerë frutash në jugperëndim të Gjermanisë, e kishte lëshuar alarmin, shkruan “SWP”, përcjell Shtegu.com. Ata kanë frikë nga humbja e kulturave të veçanta.
Sipas Lehar, nga vendet e Europës Lindore vijnë gjithnjë e më pak punëtorë, pasi ata tani kanë punë në vendin e tyre. Në të ardhmen, do të duhet të kërkohen punëtorë nhga vendet jashtë BE-së. “Bujqësia dhe politika nuk mund të ndihmojnë, por mund të gjejnë mënyra”.
Për ministrin e Bujqësisë, Peter Hauk (CDU) nevojitet urgjentisht hapja e tregut të punës për punëtorët sezonalë nga vendet jashtë BE-së. Kjo mund të bëhet përmes marrëveshjeve ndërqeveritare. “Sipas informacionit tonë, qeveria federale po punon për këtë çështje”, tha politikani i CDU-së. Vende të tilla si Ukraina, Serbia, Maqedonia e Veriut, Moldavia dhe Shqipëria po diskutohen si partnerë potencial bashkëpunimi. “Kjo do të ndihmonte për ta relaksuar situatën”.