Dy rezultate befasuese kanë dalë nga grupi 3 i Ligës A të Kombeve.
Kombëtarja e Gjermanisë ka shkatërruar Italinë duke e mposhtur 5:2, derisa Hungaria fitoi 0:4 në udhëtim kundër Anglisë, shkruan lajmi.net.
Në ndeshjen e fituar nga Gjermania, goli i parë u shënua në minutën e 10’ nga Joshua Kimmich.
Në fundin e pjesës së parë, Ilkay Gundogan dyfishoi epërsinë me një gol nga penalltia.
Gjermania mbajti tempon lart edhe në pjesën e dytë, duke shënuar me Muller në minutën 51’ dhe Werner 68’ dhe 69’.
Italia gjeti golin e parë me Gnonto, në minutën e 78’, kurse rezultatin final e vendosi Bastoni me golin e minutës së fundit.
Befasia e madhe erdhi në ndeshjen e luajtur në ‘Molineux’, ku Hungaria fitoi 0:4 ndaj Anglisë, shkruan lajmi.net.
Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 16’, kur Sallai shënoi për 0:1. I njëjti shënoi për 0:2 në minutën e 70’, kurse rezultatin në 0:3 e çoi Nagy, para se Gazdag të vuloste gjithçka për 0:4.
Me këto rezultate, Hungaria është lidere e grupit me 7 pikë, kurse Gjermania mbanë pozitën e dytë me gjashtë pikë.
Italia është e treta me pesë pikë, derisa Anglia ka vetëm dy pikë.