Gjermania ka të ngjarë të shqyrtojë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak që vitin e ardhshëm.
“Nëse nuk arrijmë të tërheqim një numër të mjaftueshëm vullnetarësh në forcat e armatosura, na duhet të kthejmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm” tha Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius për Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung. Një anëtare e aleancës së NATO-s, Gjermania po kërkon të forcojë fuqinë e saj ushtarake pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, por duket se nuk po arrin të tërheqë mjaftueshëm ushtarë në radhët e ushtrisë së saj. Sipas forcave të armatosura gjermane, do të nevojiten 100,000 ushtarë shtesë në vitet e ardhshme për të përmbushur detyrimet e Gjermanisë ndaj NATO-s.
Kristiandemokratët, të cilët udhëheqin koalicionin qeverisës në të cilin socialdemokratët e Boris Pistorius janë partnerë të vegjël, promovojnë një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes dhe deklarojnë veten të hapur ndaj shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili u braktis në vitin 2011.
“Modeli ynë bazohet kryesisht në pjesëmarrjen vullnetare”, thotë Pistorius në intervistën e tij me gazetën gjermane të së dielës, e cila botohet sot.
“Nëse vjen koha, atëherë mund të vendosim ta bëjmë afatin të detyrueshëm”, shton ai, duke sqaruar se një projektligj i ri në këtë drejtim mund të paraqitet deri më 1 janar 2026.
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermani u hoq në vitin 2011, nën drejtimin e kancelares Angela Merkel, me qëllim profesionalizimin e forcave të armatosura (Bundeswehr) dhe zvogëlimin e madhësisë së tyre, duke reflektuar gjithashtu dëshirën për të kursyer burime dhe një qëndrim më pacifist të vendit pas Luftës së Ftohtë.
Deri në vitin 2011, të gjithë burrat e moshës 18 vjeç e lart ishin të detyruar të shërbenin në ushtri ose të kryenin shërbim alternativ komunitar. Mandati u prezantua në vitin 1956 dhe është ende i garantuar kushtetushmërisht, por që nga viti 2011 është pezulluar dhe nuk zbatohet në praktikë.
Forca totale e Bundeswehr-it, forcave të armatosura gjermane, arrin në më pak se 261,000 njerëz. Nga këta, 180,215 janë personel ushtarak (ushtarë), ndërsa 80,761 të tjerë janë nëpunës civilë 1.