Pasditen e së enjtes në Istog dy persona të armatosur ishin nisur për një nga bankat në qendër të komunës, ku dyshohet se do të kryenin një grabitje. Aty u zunë në pritë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e pas një përleshje me armë zjarri, i vrarë mbeti një nga të dyshuarit (Kamer Metaj), e pas tij në spital të Pejës ndërroi jetë edhe polici Izet Demaj, shkruan Gazeta Express
Një përleshje me armë zjarri ndodhi pasditen e së enjtes në mes të dy personave të armatosur që u zunë në pritë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës derisa po tentonin të kryenin një grabitje.
Pas disa të shtënave, në vend të ngjarjes ndërroi jetë 35-vjeçari Kamer Metaj, e i lënduar rëndë mbeti polici 42 vjeçar Izet Demaj.
Demaj do të përcillej urgjentisht në spital të Pejës, por plagët që kishte marrë gjatë aksionit ishin shumë të rënda dhe ai nuk mundi të ju mbijetonte.
Mjeku kujdestar i spitalit të Pejës, Sadri Berisha bëri të ditur se polici u dërgua në spital pa shenja jete. Ai shtoi se pavarësisht përpjekjeve të mjekëve nuk kanë mundur të bëjnë asgjë më shumë.
Po ashtu ai ka thënë se vdekja e policit mund të ketë ardhur për shkak të gjakderdhjes së madhe që ka pësuar gjatë rrugës.
“Ka qenë i plagosur me armë zjarri. Ka qenë një numër i madh i plumbave në trup. Një ka qenë një qafë, një tjetër afër zemrës dhe një tjetër në krahun e djathë që kanë mundur potencialisht të ia marrin jetën”, ka deklaruar Berisha.
Polici i ndjerë ishte edhe ish’ushtar i UÇK’së, e kishte luftuar në brigadën Agim Bajrami ndërkaq ka lënë prapa dy vajza.
Rasti tragjik alarmoi policinë e Kosovës. Për Express drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj konfirmoi lajmin për viktimat, duke shtuar se është nisur menjëherë për në vend të ngjarjes.
Ndërkohë, nga prokuroria thanë se i dyshuari për grabitje që vdiq në vend të ngjarjes, kishte një të kaluar kriminale.
Prokurorja e rastit Sahide Gashi ka thënë se dorasi është nga fshati Shushicë e Istogut dhe dyshohet se ka të kaluar kriminale në Gjermani.
Express mëson se i ndjeri Metaj kishte vrarë dy persona në Gjermani, e për këtë ka qëndruar 17 vite në burg.
E zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka dhënë detaje për ngjarjen e cila ndodhi sot në Istog, ku mbetën të vdekur një person dhe një zyrtar i Policisë së Kosovës.
“Sipas prokurores kujdestare, e cila është në vendin e ngjarjes, dyshohet se cak i grabitjes ka qenë një bankë në qendër të Istogut. Një zyrtar policor ka hasur në njërin nga grabitësit, ku i dyshuari K.M. ka shtënë me armë në drejtim të zyrtarit policor I.D., ku si pasojë e plagëve zyrtari policor ka ndërruar jetë”, ka thënë Nikçi për Express duke shtuar se ka persona të tjerë të implikuar që për momentin janë në kërkim të policisë.
Hajni i armatosur që u vra nga Policia gjatë grabitjes së një banke në Istog kishte qenë përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në Facebook’un e tij ka disa fotografi që tregon se ai ishte përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj Albin Kurti.
Rastin e kanë dënuar krerët e shtetit, që e kanë komentuar atë përmes shkrimeve në Facebook.
Ngjarja që ndodhi sot është e dyta e këtij lloji.
Një muaj më parë një hajn u vra nga një pronar i një shtëpie në Veternik.