Shtetet e Bashkuara u larguan përfundimisht nga Afganistani mbrëmjen e së hënës, duke i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës dhe duke mbyllur një kapitull në historinë ushtarake që ka gjasa të mbahet mend për dështimet kolosale dhe premtimet e paplotësuara.
Gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA, tha se aeroplanët e fundit u ngritën nga aeroporti i Kabulit një minutë para mesnatës me orën lokale.
Disa orë përpara afatit të së martës të presidentit Joe Biden, për mbylljen e një transporti ajror përfundimtar, avionët transportues të Forcave Ajrore transportuan një kontigjent të mbetur të trupave nga aeroporti i Kabulit.
Mijëra trupa amerikane kishin kaluar dy javë rrëqethëse duke mbrojtur një transport ajror të nxituar dhe të rrezikshëm të dhjetëra mijëra afganëve, amerikanëve dhe të tjerëve që kërkonin të iknin nga një vend i sunduar përsëri nga militantët talebanë.
Luftëtarët talebanë teksa panë avionët e fundit amerikanë të fluturonin në qiellin mbi Afganistan, qëlluan me armë në ajër për të festuar fitoren e tyre.
“Unë nuk mund ta shpreh lumturinë time me fjalë. 20 vjet sakrifica jonë funksionoi”, tha Hemad Sherzad, një luftëtar taleban i stacionuar në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit.
Një zëdhënës i talebanëve shkroi në Twitter se me tërheqjen e plotë të ushtrisë amerikane “vendi ynë ka fituar pavarësinë e plotë”.
“Falënderimi i takon Allahut. Urime nga zemra të gjithë bashkatdhetarëve”, tha ai.
Udhëheqësit talebanë në mënyrë simbolike ecën nëpër pistën e aeroportit ndërkombëtar të Kabulit pas tërheqjes së SHBA.