Komunikimi pemës gjuhës së shenjave, për pjesëtarët e shoqërisë shqiptare në Maqedoni tani e tutje do të ketë një mundësi me tepër. Shoqata për Kulturë dhe Zhvillim Shoqëror – Komunikimi, sapo ka nxjerrë nga shtypi librin e parë të shenjave në gjuhën shqipe “Gjuha e shenjave shqip” të autoreve Valdeta Kasapit dhe Adelina Haskajt, i cili u promovua të hënën në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. “Libri, vjen si një sihariq i madh për personat që komunikojnë përmes shenjave, për familjet e tyre dhe shoqërinë shqiptare të Maqedonisë së Veriut në përgjithësi, pasi do të lehtësojë komunikimin e ndërsjellë”, tha në fjalën e tij drejtori i Institutit, prof. dr. Skënder Asani. Duke vlerësuar lartë punën e shkëlqyer që kanë bërë Kasapi dhe Haskaj në drejtim të forcimit të inkluzivitetit, Asani tha se dyert e ITSHKSH-së do të jenë çdo herë të hapura për bashkëpunim të kësaj natyre.
Ideja për hartimin e një teksti të këtillë sikurse sqaroi autorja Kasapi, kishte lindur disa vite më parë, gjatë kohës kur ajo bënte hulumtimin për dizertacionin e doktoraturës nga fusha e komunikimit. “Në mediat nacionale të Belgjikës, përveç se ishte e rregulluar çështje e përdorimit të gjuhëve, pra shumë gjuhësia, në të gjitha programet e televizioneve nacionale të atij shteti ishte e sistemuar edhe çështja e përdorimit të gjuhës së shenjave. Por, edhe këtu në Maqedoninë e Veriut, televizionet nacionale në gjuhën maqedonase kishin filluar të praktikojnë prezencën e gjuhës së shenjave, por jo edhe të gjuhls shqipe”, tha ajo. Pra, gjuha e shenjave ishte bërë pjesë e kulturës së komunikimit, shtoi më tej ajo, për të konstatuar se mediat televizive në gjuhën shqipe në RMV nuk kanë filluar ende të zbatojnë gjuhën e shenjave edhe pse janë të obliguara me ligj, për shkak të mungesës së kuadrove. Sakaq, autorja tjetër Hasaj, e cila punon me nxënësit me nevoja të veçanta në Shkollën Fillore “Idnina”, tha se në mungesë të një libri që do të ketë shenjat e komunikimit, shqiptarët deri tani kanë mësuar në gjuhën maqedonase.
Profesori universitar, Azvi Mustafa dhe se ky libër përveç se do të plotësojë nevojat e këtyre nxënësve, mund të shërbejë si një model i mirë për përpilimin e programeve mësimore nga ana e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit. Ai, gjithashtu kërkoi nga ana e universiteteve që gjuhën e shenjave ta inkorporojnë si pjesë modulare të programeve të tyre studimore. Fundja, sikurse vërejti në fjalën e tij prof. dr. Zeqiria Ibrahimi, gjuha e parë e komunikimit ishin shenjat. “Të gjithë njerëzit, kur u krijua bota ishin shurdhmemecë. Pastaj, lindën gjuhët”, u shpreh ai. Ndërkaq, komunikologu Sefer Tahri foli rreth detyrimit ligjor që kanë televizionet publike dhe private për përfshirjen e gjuhës së shenjave në emisionet e veta.