Gjuha shqipe “pengesë” në Këshillin Gjyqësor, shqiptarët distancohen nga kreu i këtij institucioni

Anëtarët shqiptarë të Këshillit Gjyqësor distancohen nga deklarata e kryetarit Kire Zdravev se zbatimi i shqipes në gjyqësor zvarrit procedurat. Sipas tyre, Zdravev ka dhënë mendim personal i cili në nuk ka bazë në aspektin juridik. Nënkryetari i Këshillit, Milazim Mustafa thotë se proceset rrezikohen nga mos zbatimi i shqipes.

Marketing

Është një deklaratë personale e cila nuk mban as në aspektin juridik pasi kur një çështje ngritët në nivel të ligjit ajo është e obligueshme për të gjithë qytetarët. Nëse një dispozitë e ngritur në kuadër të ligjit i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare nuk respektohet, atëherë ka pasoja. Ligji për përdorimin e gjuhëve garanton zbatimin e shqipes në procedura gjyqësore në qoftë se edhe vetëm një anëtarë në atë procedurë është shqiptar, qoftë ai proces-verbalist, dëshmitar ose ekspert. Mos respektimi i këtyre dispozitave është shkelje dhe rrezikon të gjithë procedurën -deklaroi Milazim Mustafa, nënkryetar i Këshillit Gjyqësor.

Mustafa shton se zbatimi i shqipes ka ngecur si pasojë e neglizhencës nga institucionet gjyqësore dhe ekzekutive, pasoja këto të cilat do t’i vuaj më së shumti pushteti gjyqësor.

Në kushtet aktuale një gjë e tillë akoma nuk është e mundshme, por është vetëm 1 vit prej kohës kur ligj është fuqizuar. Deri tani as gjykatat por edhe shumë organe tjera nuk kanë ndërmarr hapa për zbatimin e ligjit. Ka një mungesë të vullnetit për zbatimin e këtij ligji dhe për këtë pasojat do t’i vuaj vet pushteti gjyqësor – tha Milazim Mustafa, nënkryetar i Këshillit Gjyqësor.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev ditë më parë deklaroi se zbatimi i shqipes në gjyqësor zvarrit dhe pengon procedurat gjyqësore. Sipas tij, për zbatimin e Ligjit të Gjuhëve, duhet ndryshuar dhjetëra ligje të cilët do të rëndonin edhe më tepër punën e gjykatave. Komisioni i Venecias për zbatimin e shqipes në gjyqësor rekomandon pezullimin e dispozitave me qëllim mos zvarritjen e proceseve.