Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, akuzoi Serbinë dhe Republika Srpska se përfaqësojnë Rusinë në Ballkan.
Duke folur në një panel të organizuar nga socialdemokratët evropianë në Vjenë, ai tha se në vitin 2016, Rusia u përpoq të bënte një grusht shteti në Mal të Zi për ta penguar atë të anëtarësohej në NATO, transmeton N1.
Ndonëse nuk ia doli me këtë, Gjukanoviq thotë se pritej që Rusia të mos e pranonte lehtë “shuplakën që mori nga një Mal i Zi i vogël”.
“Dhe ajo nuk u pajtua. Ajo ka bërë luftën e saj hibride gjatë gjithë këtyre viteve”, tha ai, duke shtuar se më pas u shfaqën “bashkëpunëtorët rus nga rajoni”.
“Mos harroni se në ato katër vite, Rusia instaloi dy nga bazat e saja për të zhvilluar një luftë hibride në rajon, në Serbi dhe Republika Srpska. Vetëm një i verbër nuk dëshiron ta shohë këtë”, tha presidenti malazez.
Ai shtoi se Rusia ka zhvilluar ndikimin e saj në shumë fusha, se ka zhvilluar struktura mediatike, inteligjente dhe sigurie, por edhe struktura ekonomike dhe energjetike dhe se abuzon me kishën ortodokse në rajon.
“Nuk është çudi që vendet e vogla si Mali i Zi nuk ishin në gjendje t’i rezistonin plotësisht një agresioni të tillë”, pohoi Gjukanoviq.