Të jetosh, do të thotë të lësh gjurmë…dhe Ismail Kadare, i la gjurmët e tij.
Me këtë shënim, njihen fillimisht vizitorët në shtëpinë e shkrimtarit të njohur, e cila ndodhet në një pallat tipik të komunizmit në qendër të Tiranës, pranë rrugës së Dibrës.
Kjo shtëpi është një nga atraksionet më të frekuentuara të kryeqytetit. Në shtëpinë muze kanë mbetur të paprekura orenditë, librat, fotografitë me bashkëshorten dhe vajzat, revista në gjuhën frënge e ruse, botimet e vjetra dhe të gjitha kujtimet e shkrimtarit të madh.
“Një nga këndet më të veçanta të shtëpisë ku jetoi Ismail Kadare është kjo hapësirë këtu, ku ruhen shënimet dhe kujtimet e shktimtarit. Në këtë bllok Kadare ka shënuar emrat e vajzave ruse që ka njohur gjatë studimeve në Moskë.”
Nga janari deri në prill të këtij viti 5206 vizitorë janë regjistruar në shtëpinë e Kadaresë. Pjesa më e madhe e tyre janë të huaj. Kanë interes të shohin nga afër hapësirën ku ka jetuar shkrimtari shqiptar i përkthyer në 45 gjuhë të botës.
Özge Kula:Unë jam nga Stambolli. Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë. Kjo shtëpi e shkrimtarit është ndalesa jonë e parë për ditën e sotme. Apartamenti është shumë interesant. Të shohësh të gjithë librat dhe të mësosh për jetën e tij është vërtet diçka e rrallë. Të shohësh fotot, udhëtimet e tij dhe gjithashtu oxhakun dhe vendin ku ai shkruante librat. Është interesante ta shohësh nga afër sepse mund ta imagjinoja atë ulur aty duke shkruar librat.
Edwin Forsberg: Jam nga Suedia. Ndodhem në Shqipëri për herë të parë. Kjo shtëpi është shumë interesante. Duket sikur është ruajtur pothuajse ashtu siç ka qenë kur shkrimtari dhe familja e tij jetonin këtu. Dhe kjo e bën, të ndihesh më afër sesa thjesht në një muze me objekte të rastësishme.
Për këra dy të rinj, Ismail Kadare nuk është emër i padëgjuar dhe teksa ndodhen në Tiranë, nuk mund të largoheshin pa parë nga afër shtëpinë e shkrimtarit që i la një pasuri të paçmuar letrare jo vetëm Shëipërisë.
Özge Kula: Po kam dëgjuar, por nuk kisha shumë informacion të detajuar. Tani jam informuar, kështu që kam më shumë njohuri për të, jetën që ka bërë dhe krijimtarinë që ka lënë pas.
Edwin Forsberg: Nga këndvështrimi im, Shqipëria gjithmonë më është dukur si një vend i mbyllur në të kaluarën. Prandaj është interesante të shohësh persona që kanë pasur një pasaportë diplomatike, që kanë pasur mundësi të udhëtojnë, të shohin botën jashtë dhe në një farë mënyre ta përfaqësojnë Shqipërinë në botë. Kjo është shumë interesante për t’u parë.
Çdo ditë shtëpia studio e Kadaresë është plot me vizitorë të grupmoshave të ndryshme.
Pëllumb Bisheva thotë se emocionet i ka të njëjta çdo herë që viziton këtë banesë.
“Të bën përshtypje pjesa e të shkruarit dhe mendimit të lirë. Mjeshtëria me të cilën Kadare arriti të shkruante veprat në atë kohë të frymëzon.”
Interes për vizitorët së fundmi në shtëpinë e Kadaresë ka tërhequr edhe ekspozita kushtuar Maks Velos, me punët e tij si arkitekt dhe pjesë të dosjes, ku një ndër akuzat pwr burgosjen e tij ishte pikërisht kjo godinë. Oxhaku ku pranë së cilit Ismail Kadare rrinte dhe shkuante, si dhe dera e madhe e dhomës së ndenjes të projektuara nga Maks Velo, regjimi i cilësoi elementë borgjezë.
Shtëpia muze e Ismail Kadaresë nuk ofron vetëm historinë letrare të një prej kolosëve të letrave shqipe, por të jep gjithashtu ndjesinë e Tiranës së dikurshme, që ata të cilët e jetuan e kanë në kujtime.