Gjykata e Apelit rrit dënimet për disa nga të akuzuarit në rastin “Llaskarca”

Gjykata e Apelit në Shkup i hodhi poshtë si të pabazuara ankesat e disa prej të akuzuarve në rastin “Llaskarca”, i cili ka të bëjë me aksidentin me autobus që ndodhi në vitin 2019, në të cilin humbën jetën 16 pasagjerë dhe u plagosën mbi 30, ndërsa pjesërisht e mbështeti ankesën e Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, me çka i rriti dënimet me burg pronarit të kompanisë “Durmo Tours”, Durmish Beluli, nga katër në dhjetë vite, personit përgjegjës për transportin në kompani, Remzi Miftari, nga gjashtë në dhjetë vite dhe dy punonjësve të stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgievski dhe Goran Dukovski, nga pesë në shtatë vite burg.

Marketing

Dënimet e punonjësit të tretë në stacionin e kontrollit teknik, Jane Bovarovski, dhe shoferit të autobusit, Manoil Trifunovski, mbeten të njëjta, pesë dhe 14 vite burg.

Seanca publike në Gjykatën e Apelit u mbajt më 2 prill të këtij viti, dhe pas kryerjes së këshillimeve dhe votimit në një pjesë të mbyllur të seancës më 17 prill 2025, gjykata nxori vendim, me të cilin, siç informon, hodhi poshtë si të pabazuara ankesat e pronarit të kompanisë “Durmo Tours”, të pandehurit Durmishi Beluli, si dhe tre punonjësve të stacionit të kontrollit teknik Igor Gjorgjiovski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarovski, dhe pranoi pjesërisht ankesat e personit përgjegjës për transportin në kompani, të pandehurit Remzi Miftari dhe shoferit të autobusit Manoil Trifunovski.