U shty seanca e parë e gjykimit, që duhej të niste sot në Gjykatën e Strugës ndaj tre mjekëve, të cilët akuzohen për trajtim të pakujdesshëm dhe i kanë hequr disa organe nënës nga Dibra.
Seanca u shty për shkak të mungesës së të pandehurve. Jëldëz Veaposka, nëna e lënduar që humbi mitrën, vezoret dhe veshkën gjatë një operacioni cezarian, thotë se ka dy vjet që jeton në ferr dhe agoni.
Ajo është ende nën terapi mjekësore dhe pret që të ketë drejtësi.
“Mjeku mbrohet duke thënë se e kishte të pastër ndërgjegjen dhe nuk bëri asgjë, më shpëtoi jetën. Po cfare jete me shpetoi kur jam gjysëm njeri jam pa organe dhe sa ndershmeri ka ai doktor. Si do të më shikojë në fytyrë. Duhet t’i hiqet licenca e punës dhe të mos punojë më për të gjymtuar femra të tjera” – tha nëna nga Dibra, paditësja Jëldëz Veaposka.
Avokati mbrojtës thotë se do të paraqiten të gjitha provat dhe presin dënim maksimal për mjekët.
“Këtu ka një krim, trajtimi i të sëmurit nga pakujdesia ka dënim maksimal deri në pesë vjet. Procedurë e shkurtuar, gjykata e di punën e saj. Ne presim një rezultat pozitiv, gjegjësisht që ata që kanë kryer veprën të përgjigjen sipas ligjit” – u shpreh Avokati i të paditurës, Sasho Janev.
Oda e mjekëve fillimisht kishte konstatuar se nuk kishte ndonjë gabim mjekësor, por pas procedurës paraprake prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka ngritur aktakuzë kundër tre personave.
Prokuroria Publike më 7 maj të këtij viti ka njoftuar se tre të pandehurit gjatë ofrimit të ndihmës mjekësore, kanë aplikuar një mjet dhe metodë të papërshtatshme të trajtimit ndaj një pacienteje lehonë nga Dibra, e cila i ka shkaktuar përkeqësim të gjendjes së saj shëndetësore.