Gjykata merr vendim për 5 të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares

E.R (26-vjeç), Sh.K (19-vjeç) dhe tre të miturit G.R., Xh.S., dhe G.J., të dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçe në Prishtinë iu është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj

Marketing

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.R dhe SH.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 26.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit të njëjtëve edhe për dy (2) muaj, për secilin veç e veç”, ka thënë ajo.

Vazhdimi i masës së paraburgimit edhe për dy muaj është marrë edhe ndaj tre të miturve.

“Po ashtu lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur me datë 23.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit tre të miturve edhe për dy muaj, për secilin veç e veç”, ka thënë Gashi për rtv21.tv.

Një 11-vjeçare dyshohet se ishte dhunuar më 27 gusht të vitit 2022.