Safet Bajrit, minimalisht do t’i duhet të qëndrojë në burg për të paktën 8 vite e 9 muaj. Kjo, pasi Gjykata e Apelit në Shkodër ka njohur dënimin që 34-vjeçari ka marrë në Belgjikë për shfrytëzim prostitucioni.
“I forti” i Shkodrës, i njohur ndryshe dhe me emrin Ilir Rustemi, u arrestua me shumë bujë në shtator të vitit të kaluar në Tiranë. Bajri konsiderohet si koka i një prej grupeve më të mëdha kriminale në Shkodër, që dyshohet se fshihet pas shumë vrasjeve të ndodhura gjatë dy viteve të fundit, kjo edhe për shkak të përplasjeve me grupin Lici, po në Shkodër.
Vendimi për njohjen e dënimit të dhënë nga një gjykatë në Belgjikë është bërë nga Gjykata e Apelit në Shkodër, duke lënë kështu në fuqi dënimin me 8 vite e 9 muaj dhe 12 ditë burg për Safet Bajrin. Shkodrani u dënua në Belgjikë pas akuzave për “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Sipas vendimit të drejtësisë belge, Bajri është fajtor për shfrytëzimin për prostitucion të një vajze me inicialet E.G., nga Shkodra. 34-vjeçari nuk ka asnjë mundësi që të ekstradohet për të vuajtur dënimin, për shkak se Shqipëria dhe Belgjika nuk kanë një marrëveshje, por dy vendet kanë marrëveshje për njohjen e vendimeve, ndaj “i forti” i Shkodrës do të duhet që për 8 vite e 9 muaj të qëndrojë në një burg të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, vijojnë hetimet për të si i përfshirë në grupin “Bajri”, në një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura kryesisht në Shkodër. Gjatë seancës për njohjen e vendimit, Bajri nuk ishte i pranishëm, pasi përfaqësohej nga avokati i tij përmes një prokure. Në seancën e një dite më parë, Gjykata e Apelit në Shkodër njohu vendimin e gjykatës belge, duke e lënë në fuqi atë.
Në momentin e arrestimit, Safet Bajri ishte në një bilardo në zonën e Xhamllikut në Tiranë dhe sapo kanë hyrë forcat RENEA, ai ka hedhur pistoletën, e cila megjithatë është konstatuar nga efektivët e Policisë. Grupi kriminal “Bajri” nga Dobraçi i Shkodrës akuzohet për vrasje me dashje, gjobëvënie, trafik droge dhe pastrim parash. Anëtarë të këtij grupi kriminal akuzohen edhe si autorë të disa prej ngjarjeve kriminale, që kanë tronditur kryeqendrën e Veriut.
Që nga janari i vitit të kaluar, në Shkodër kanë ndodhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale dhe dyshohet se disa prej tyre kanë ardhur nga grupi “Bajri”. Po ashtu, ky grup kriminal me disa të arrestuar është në një përplasje me grupin tjetër Lici, edhe këta të fundit të dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale. Kjo seri e hakmarrjeve nuk po arrin që të ndalojë, si shkak i përplasjeve dhe konflikteve të forta që janë rizgjuar mes grupeve kriminale në Shkodër.
Policia ka goditur disa elementë, ndërsa të tjerë janë në kërkim dhe disa dosje po hetohen me grupe ekspertësh, por mbetet e vështirë për të gjetur provat që çojnë prapa hekurave këto grupe kriminale, për ngjarjet e ndodhura nga janari i vitit të kaluar dhe deri më tani.