Gjykata Penale: 1 vit burg për ish-deputetin e PD, Ervin Salianji

Gjykata Penale vendosi sot 1 vit burg pë ish-deputetin Ervin Salianjin, (vuajtja me një burg të zakonshëm), dënim i cili do të konvertohet në shërbim prove. Albert Veliu është dënuar me 3 vite e 5 muaj burg, gazetari Jetmir Olldashi është dënuar me 6 muaj burg, dënim i cili do të zëvendësohet me 100 orë pune. Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 1.6 vite burg të ish-deputetit. Pas vendimit Salianji akuzoi edhe njëherë se prokuroria se nuk ka asnjë provë, “por vetëm urdhër politik”. Ai nxori një skicë që, sipas tij, është harta e qelizave telefonike që tregon se Jetimir Olldashi, Geron Xhafaj dhe Albert Veliu, kanë qenë për një orë në të njëjtën zonë, te lokali i vëllait të ish-ministrit kur është bërë regjistrimi i audios në orën 13:30.

Marketing

“Pretenca u bë gati nga Edi Rama, që ditën e dytë të publikimit të skandalit të vëllait të ish-ministrit Xhafajt. Në datë 24 kur është bërë investigimi i gazetarit Jetimir Olldashi, për një orë, sipas qelizave telefonike edhe Geron Xhafaj edhe Jetimir Olldashi dhe Albert Veliu, sipas antenave ndodhen në të njëjtën zonë që është edhe lokali i Agron Xhafajt. Kjo provë nuk është kundërshtuar nga prokuroria. Kam prova se Alizoti është dëshmitar i rremë kur thotë se e ka sjellë në 15 janar audio dhe se ma ka dorëzuar mua. Alizoti merrte dhe paguhej me para nga drejtori i policisë së Fierit. Kemi edhe fakte të tjera, që janë komunikimet telefonike të dy numrave të Veliut, dhe nga 14 janari dhe deri në fund të shkurtit nuk ka ardhur në Tiranë për të më dorëzuar materialin audio, bie me provë shkencore pretendimi i dëshmitarit të sajuar. Edhe numri i Alizotit dhe Babales nuk janë në Tiranë sipas qelizave të kompanisë, që janë në dosjen e prokurorisë. Mbrojtja jonë është mbi 300 faqe, ndërsa prokuroria nuk ka asnjë provë, vetëm urdhër politik. Prokuroria duhet të ndryshonte qëndrim sepse edhe dy prokurorët e parë janë shkarkuar nga vetingu” tha ai.