Gjykata Penale vazhdoi paraburgimin për 5 të dyshuarit për vrasjen e Vanjës

Gjykata Penale ka caktuar edhe 30 ditë paraburgim për pesë të dyshuarit për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski. Mes të dyshuarve është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili sipas hetimeve ka ndihmuar të tjerët për të rrëmbyer vajzën dhe dyshohet për veprën penale të rrëmbimit.

Marketing

Tre të tjerët për të cilët është zgjatur masa janë Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Bore Videvski, të dyshuar për dy krime – vrasje dhe rrëmbim. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, Ljupço Palevski-Palco, pas arratisjes nga vendi ndodhet në burg në Turqi dhe procedura për ekstradimin e tij ka filluar.

Vanja Gjorçevska ishte rrëmbyer në hyrje të objektit më 27 nëntor dhe sipas deklaratave të të dyshuarve, dy orë më vonë ajo ishte vrarë me armë zjarri. Trupi i saj u gjet më 3 dhjetor në atarin e fshatit Brazda.