Gjykata Supreme ka marrë vendim lidhur me pronësinë e objektit ku është e vendosur Lidhja e Sindikatave, me të cilin thuhet se objekti është në pronësi të paditësit, përkatësisht Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Objekti në fjalë – ndërtesa administrative dhe trualli, janë pronë e paditësit, në përputhje me dispozitën e nenit 82 të Ligjit për Shoqatat e Qytetarëve dhe Fondacionet, sepse paraardhësi ligjor i të paditurit në pjesën më të madhe e ka ndërtuar dhe e ka fituar këtë pronë me mjetet e marra nga paditësi si pasardhës juridik i Republikës së atëhershme Popullore të Maqedonisë, e jo me mjete të veta, duke pasur parasysh se i njëjti gjatë periudhës së ndërtimit të objektit, me subjektivitetin e tij juridik, nuk ka pasur dhe as ka mundur të ketë fonde të tij për ndërtim.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
LSM: Nuk mund të konfiskohet shtëpia e punëtorëve
Ka reaguar kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, Sllobodan Trendafillov. Sindikalistët druajnë se me një vendim të tillë të Gjykatës Supreme, LSM-ja mund të largohet nga objekti.
“Gjykata Supreme ka sjellë njëfarë vendimi me të cilin konfiskohet shtëpia e punëtorëve, e cila është e ndërtuar me mjetet e punëtorëve që nga viti 1958. Në bazë të dokumenteve të cilët ne kemi në dispozicion për ndërtimin e këtij objekti janë investuar rreth 430 milionë dinarë të atëhershëm ose e përllogaritur në valutën aktuale kjo shumë kap vlerën prej rreth 8 milion dollarëve aktuale. Pronë, e cila është ndërtuar në bazë të kontratës dhe lejes për ndërtim të asaj kohe, program të qartë investues dhe mjete të siguruara nga anëtarësia e punëtorëve.”, – theksoi Sllobodan Trendafillov nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Nga Lidhja e Sindikatave thonë se prej vitit 1992 ka pasur disa tentime të tjera për ta përvetësuar objektin në fjalë, por edhe kësaj radhe nuk do të arrijnë qëllimin. Trendafillov paralajmëroi se do të zhvillojë “luftë të ashpër” kundër vendimit të Gjykatës Supreme, përfshirë dërgimin e çështjes para institucioneve ndërkombëtare. Ai kërkoi dorëheqje nga kryetari i Gjykatës Supreme dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor.