Gjykimi “online” i pamundur pa ndryshime ligjore

Ministri i Drejtësisë pohon se gjyqësori mund të funksionojë online, por një pjesë e ekspertëve thonë se për momentin kjo është e pamundur.

Marketing

Kryetari i Gjykatës Civile, Ilir Sulejmani për Alsat thekson se procedura aspak nuk është e thjeshtë. Duhet ndryshim të Ligjeve, në këtë rast ndryshim i Ligjit për Procedurë Civile, Rregullores Gjyqësore, Ligjit për Menaxhimin e Çështjeve. Megjithëse ekzistonte vullneti tek gjyqtarët dhe administrata, pa ndryshime ligjore, gjykimi përmes internetit për momentin është i vështirë.

Për momentin, nuk është nëse gjykatësit, gjykata duan apo nuk duan gjykim përmes internetit. Fundja, në rrethana të tilla shoqërore me situatën e Covid 19, askush nuk dëshiron ta vërë veten në rrezik me praninë fizike, as palët e as gjykatësit, por për të arritur në atë situatë duhet të ndryshojmë shumë zgjidhje ligjore – tha Ilir Sulejmani, Kryetar i Gjykatës Civile.

Përveç ndryshimit kryesor në ligjet procedurale, problem paraqesin edhe pajisjet teknike të gjykatave. Do të duhet të shpenzohen para për kompjuterë si dhe teknologji për gjykim online. Sulejmanin e kanë informuar nga sektori i IT se Gjykata Civile nuk ka kapacitet të tillë. Nuk kanë kornizë financiare se sa do të kushtonte organizimi i gjykimeve përmes internetit për 55 gjykatës, të cilët çdo vit mesatarisht gjykojnë nga 220 raste.

Në Gjykatën Civile, ju e dini që kemi pesë reparte. Këtu kemi edhe raste falimentimi dhe tani nuk e di se si do të funksiononte një Kuvend i Kreditorëve ku paraqiten pesëdhjetë persona dhe si ligjvënësi i ka paraparë ato momente. Kjo është e rregulluar me Ligjin e Falimentimit, i cili është ligj procedural dhe material – deklaroi Ilir Sulejmani, Kryetar i Gjykatës Civile.

Ministri i Drejtësisë Mariçiç tha dje se gjyqësori mund të funksionojë përmes internetit. Nga ky dikaster nuk shpjegojnë nëse ekziston marrëveshje politike për të ndryshuar ligjet procedurale për procedurë civile dhe penale, të cilat kërkojnë një shumicë prej dy të tretave. Informacioni është se Ministri i Drejtësisë do të ketë takime me të gjithë përfaqësuesit e gjyqësorit në lidhje me njoftimin e gjykimit përmes internetit.