Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në cilësinë e dëshmitarit mori pjesë në gjykimin për organizatorët e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në Kuvend.
Ai në pyetje të mbrojtjes së Trajko Veljanovskit, Mile Janakievskit dhe Spiro Ristevskit u përgjigj rreth rregullave dhe procedurave për funksionim e seancës së Kuvendit.
Ai tha se më 27 prill të vitit 2017, por edhe më herët, nuk ka ekzistuar mundësi që kryetari i Kuvendit të ndërpresë fjalimin e deputetit në foltore të Kuvendit, por që atë e kanë menaxhuar shërbimet teknike.
Pas ngjarjeve të atëhershme, Xhaferi sqaroi se tani një mundësi për ndërprerje të fjalimit e ka edhe kryetari i Kuvendit. Pyetjet e mbrojtjes ishin në drejtim të akuzës ku thuhet se tani i akuzuari Veljanovski është dashur të ndërpresë fjalimin e deputetit, Zekirija Ibraimi, kur ka kënduar himnin shqiptar me qëllim për t’i ikur tensionit.
Mbrojtja e të akuzuarve thotë se janë të kënaqur nga dëshmia e Xhaferit që sipas tyre është në përputhje me rregulloren e Kuvendit.
“Vlerësoj se me dëshminë e zotëri Xhaferit, vetëm se e vërtetuam veprimin dhe punën sipas rregullores të Trajko Veljanovskit si dhe mënyrën se si ka vazhduar të veprojë ai, por dhe zotëri Talat Xhaferi më pas, por dhe të gjithë kryetarët e Kuvendit sipas asaj rregullore. Faktin që vetëm se e vërtetoi Xhaferi është se në atë moment mundësi teknike dhe taster elektronik me të cilin kryetari do të mundej të ndërpresë folësin nuk ka ekzistuar, por se ajo me urdhër të tij është bërë më vonë.”,- tha avokati mbrojtës, Elenko Millanov.
Për shkak të zhvillimit të procedurës tjetër gjyqësore për të akuzuarin, Mile Janakievski, dëshmitarët e paraparë për ditën e sotme, Antonio Milloshovski, Vllatko Gjorçev etj, do të dëgjohen në seancën gjyqësore të 16 tetorit.
Përveç Veljanovskit, Janakievskit dhe Ristevskit i akuzuar është edhe ish drejtori i DSK-së, Vladimir Atanasovski. Ata akuzohen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë.