Gjykimi për “Trust” publikohet të premten

Gjykatësja Lidija Trajkovska – Zimbovska, e cila është kryetare e këshillit gjyqësor për lëndën “Trust” të premten, më 20 korrik, në orën 12 do ta publikojë gjykimin për të akuzuarit në këtë lëndë.

Marketing

I akuzuari i parë në lëndën “Trust”, Sead Koçan sot në fjalët përfundimtare para Gjykatës tha se nuk ndjehet fajtor, sepse nuk ka pasur asnjë paramendim që të shkel çfarëdo lloj ligj.

“Përskaj të thatit digjet edhe i njomi”, tha Koçan dhe shtoi se qëllimin e vetëm e kishte që të jetë konkurrues në treg dhe të siguroj punë për të punësuarit e mi dhe familjet e tyre.

Ai theksoi se nuk i kishte kontrolluar dokumentet për këtë rast para se t’i nënshkruajë, edhe pse si menaxher e kishte obligim.

“Si menaxher, edhe pse kisha obligim që t’i kontrolloj të gjitha dokumentet para se t’i nënshkruaj, këtë nuk e bëra, duke besuar plotësisht në ekipin tim”, tha Koçan.

Edhe i akuzuari Vasilie Aviroviç në fjalët përfundimtare tha se nuk ndjehet fajtor për veprën për të cilën akuzohet.
“Akuza e tillë e pabazë në mënyrë shtesë e përkeqësoi gjendjen time shëndetësore, e cila që nga fillimi është shumë e brishtë”, tha Aviroviq.

I akuzuari Safet Vatiq në fjalët përfundimtare, gjithashtu, tha se se nuk ndjehet fajtor dhe pret që të shpallet i pafajshëm.

Përfaqësuesi i “Transmet” SHPK Shkup, Sabina Alomeroviq tha se pajtohet me fjalët përfundimtare të mbrojtësve të personave juridik dhe plotësisht qëndron pas tyre. Ajo theksoi se pret shfajësim për personin juridik “Transmet” SHPK Shkup.

Avokati Jovan Joanidis, i cili është përfaqësues i personit juridik “Sileks jometale ST” tha se gjykata në mënyrë korrekte e kishte udhëhequr procedurën gjithëpërfshirëse dhe se pret që të shpallen të pafajshëm të gjithë.

Sipas tij, në këtë lëndë nuk ka elemente të veprës penale për të cilën akuzohen të gjithë të akuzuarit.

Në seancën e sotme gjyqësore edhe mbrojtja edhe të akuzuarit në “Trust” thanë se këshilli gjyqësor në mënyrë korrekte e kishte udhëhequr gjithë procedurën për këtë rast.

Në lëndën “Trust” i dyshuari i parë është biznesmeni Sead Koçan dhe edhe dy persona fizik dhe tre persona juridik, në mesin e të cilëve edhe udhëheqësit e firmave “Transmet” SHPK Shkup, “Sileks jometale ST” dhe “Vato” SHPKNJP, për pjesëmarrje në tenderin e Eletranave të Maqedonisë.
Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë montuar tenderë në ELEM në vlerë prej 17 milionë euro.

Marketing