U anulua seanca e parë gjyqësore për akuzën për mashtrim të pacientëve nga kardiologu Zhan Mitrev dhe klinika e tij. Arsyeja e anulimit është se kardiologu, ka angazhuar avokatë të rinj, të cilëve u nevojitet kohë për ta mësuar lëndën dhe përgatitur mbrojtjen. Në ndërkohë, me kërkesë të prokurorisë gjykata i bllokoi llogaritë bankare të spitalit.
Sa i përket këtij vendimi nga klinika “Zhan Mitrev” thonë se gjykata ka sjellë aktgjykim pa i gjykuar, duke theksuar pamundësinë për shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj bankave.
“Duam të informojmë opinionin se do të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona dhe mjekimi i asnjërit pacient nuk do të vihet në pikëpyetje edhe pse procedurat në Gjykatën Penale në kërkesë të prokurorisë shkojnë në drejtim tjetër, gjegjëisht kërkojnë mbylljen tonë.”, thuhet në kumtesën e klinikës “Zhan Mitrev”.
Akuza ndaj Mitrevit i referohet fshehjes së fakteve kyçe rreth hemofiltrimit – metodë, e cila u paraqit si alternativë për trajtimin e pacientëve me Covid, edhe pse nuk i është lejuar ta bëjë. Aktakuza nuk ka të bëjë me faktin se pacientët në klinikën “Zhan Mitrev” kanë vdekur nga hemofiltrimi dhe trajtimi i pakujdesshëm, por që pacientëve dhe të afërmve të tyre nuk u është treguar pasqyra e plotë e metodës dhe ka ardhur deri në mashtrimin e tyre. Seanca gjyqësore e radhës është caktuar për 5 prill.