Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve shprehin shqetësimin dhe indinjatën më të thellë për organizimin e një koncerti më 5 maj në Komunën e Dragashit, me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga Serbia, i cili është paralajmëruar nga një grup i komunitetit goran në këtë komunë.
“Kjo ngjarje bie ndesh me ndjenjat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me vetë dinjitetin e shtetit tonë. Data 5 maj është e shenjtë për popullin shqiptar,është Dita e Dëshmorëve të Kombit. Në këtë ditë, ne nderojmë me krenari dhe përulësi sakrificën sublime të bijve dhe bijave më të mirë të kombit, të cilët ranë për lirinë që ne e gëzojmë sot. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë organizimin e këtij koncerti me pjesëmarrje të artistëve serbë si një provokim të qëllimshëm, të papranueshëm dhe thellësisht fyes për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët dhe për gjithë ata që kanë sakrifikuar për çlirimin e vendit”, thuhet në reagim.
Aty thuhet se kjo nismë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona kombëtare, shkruan Insajderi.
“Çdo përpjekje për të relativizuar dhimbjen dhe sakrificën tonë në ditë të tilla përbën cenim të rëndë të ndërgjegjes kombëtare. Kjo nismë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona kombëtare dhe historisë sonë të lavdishme të rezistencës. I bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të ndalojnë organizimin e kësaj ngjarjeje në formën e paralajmëruar. Nëse organet kompetente nuk ndërmarrin masa për parandalimin e kësaj ngjarjeje, OVL e UÇK-së, SHIL dhe SHFD do të detyrohen të dalin në rrugë dhe ta ndalojnë vetë këtë aktivitet provokues.