Dy sezonet e fundit të Barcelonës në Ligën e Kampionëve mbahen mend vetëm për të keq.
Gjiganti katalonas është eliminuar nga gara më prestigjioze për klube në mënyrë dramatike për dy vite radhazi, duke e çuar dëm një epërsi prej tri golave në të dy rastet.
Në çerekfinale të sezonit 2017/18, Barça shkoi në Romë për ndeshjen e kthimit me nje epërsi prej 4:1 nga ndeshja e parë, por humbi 3:0 dhe u eliminua në bazë të golit të pranuar në shtëpi.
Të martën që lamë pas, skuadra e Ernesto Valverdes u shkatërrua plotësisht nga Liverpooli duke u mundur 4:0 në Anfield. Tamam çka i duhej skuadrës së Jurgen Kloppit për të kaluar në finale, pasi Barça e kishte fituar 3:0 ndeshjen e parë në shtëpi.
Lojtari i vetëm në fushë për kampionin e La Ligës, i cili kishte ide, ishte Lionel Messi, i cili krijoi një numër rastesh që s’u shfrytëzuan nga bashkëlojtarët e tij.
Messi, po ashtu, i humbi tri mundësi për të shënuar vetë.
Pas ndeshjes, argjentinasi u kritikua, por nëse i shikon statistikat dhe rastet e ndeshjeve, Messi i vetëm e ka sjell në gjysmëfinale Barçën.
Në dy sezonet e fundit në Champions, Messi i ka shënuar 18 gola.
Bashkëlojtarët e tij janë larg. Janë 6 autogola nga të cilat ka përfituar Barça, pastaj vjen Ousmane Dembele me 4 gola, Philippe Coutinho dhe Gerard Pique me nga 3 dhe Luis Suarez e Ivan Rakitic me nga 2.