Aleanca FIDO thotë se mekanizmi i ri së shpejti do të përmirësojë sigurinë e miliarda përdoruesve.
Aleanca FIDO dhe Google njoftuan se Android (7.0+) i pajisur me versionin më të fundit të Google Play Services do të pajiset me certifikimin FIDO2.
Falë saj zhvilluesit do të mund të shkruajnë aplikacione të cilat përdorin skanerin e shenjave të gishtërinjve ose një çelës sigurie FIDO për të kyçur përdoruesit në llogari të ndryshme pa pasur nevojë të shkruajnë një fjalëkalim.
Njerëzit të cilët përtojnë të shkruajnë fjalëkalime të komplikuara janë të shumtë dhe kjo është ajo që i jep rëndësinë e madhe këtij lajmi.
Zhvilluesit mund të aktivizojnë kyçjen në aplikacionet ueb dhe Android pa një fjalëkalim. Chrome, Microsoft Edge dhe Firefox e mbështetin këtë funksion ashtu si edhe Apple Safari.
FIDO2 gjithashtu premton më shumë siguri ndaj sulmeve “phishing” duke qenë se teknologjia nuk të lejon të kyçeni në një uebsajt keqdashës.
“Google ka punuar së bashku me Aleancën FIDO dhe W3C për të standardizuar protokollet FIDO2 të cilat i japin çdo aplikacioni mundësinë për tu larguar nga fjalëkalimet dhe ofruar mbrojtje ndaj sulmeve phishing,” shprehej menaxheri i produktit Christiaan Brand.
Vlen të theksohet se Android prej kohësh lejon kyçjen në aplikacionet pa një fjalëkalim ndërsa tashmë funksionon edhe për shfletuesit.
Kur të aktivizoni këtë mekanizëm verifikimi, telefoni do të ruajë të dhënat kriptografike në telefon dhe asnjë informacion nuk largohet prej tij.
Aleanca FIDO thotë se mekanizmi i ri së shpejti do të përmirësojë sigurinë e miliarda përdoruesve. /PCWorld Albanian