Gostivar, pesë të infektuar nga virusi Korona

Në regjionin e Gostivarit deri më tani janë bërë 97 teste ndaj qytetarëve të dyshuar me sëmundjen Covid-19 dhe deri tash janë regjistruar 5 raste të pacientëve me këtë virus. Pacientja e parë tashmë është lëshuar në kujdes shtëpiak, pasi që testi pas trajtimit doli të jetë negativ. Këto ditë pritet edhe testi i dytë, pas çka do të trajtohet si rast i shëruar.

Marketing

Dy pacientë të tjerë janë nga komuna e Vrapçishtit, të cilët mendohet të jenë infektuar jashtë vendit, prej ku janë kthyer kohë më parë. Pacienti i katërt është nga Strumica, i cili është sjellë në Repartin e Infektologjisë në Gostivar nga hotelet e Mavrovës ku ka qenë në karantinë shtetërore. Është e paqartë situata me pacientin e shërbimit mikrobiologjik, i cili kohë më parë rezultoi të jetë pozitiv, por testimi i dytë për të është negativ ndaj pritet që statusi i tij të sqarohet me testimin e tretë.

Përndryshe, për situatën e regjionin të Gostivarit sot mbajti mbledhje Shtabi i Emergjencës, trup ky koordinues në Komunë.

Sipas informatave nga Shtabi i Emergjencës, priten edhe 36 rezultate të pacientëve të dyshuar me Covid-19, ndërsa komuna e Gostivarit vazhdon me dezinfektimin e objekteve publike si dhe hyrjeve të objekteve banesore.