Gostivar, promovohet modeli i parë i qendrës për shërbime sociale në shtëpi dhe komunitet

Qendra multifunksionale për persona me nevoja të veçanta në Gostivar është gati për të filluar me punë. Kjo qendër e para e këtij lloji në vend do të ofrojë kuzhinë profesionale për ushqim të shëndetshëm dhe qendër trajnimi për personat me nevoja të veçanta për të gjithë rajonin e Pollogut. Kështu u tha nga përfaqësuesit lokal dhe ata qendrorë si dhe përfaqësues të ambasadës zvicerane dhe UNDP-së gjatë vizitës që i bënë kësaj qendre.

Marketing

Kryetari Arben Taravari theksoi se është hapur edhe shpallja publike për partnerin privat që duhet të zgjidhet e i cili do të menaxhojë me kuzhinën e kësaj qendre.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale tha se personat me aftësi të veçanta pas trajnimit në këtë qendër, do të mund të punësohen në biznese gastornimike dhe të hotelerisë.

“Është planifikuar që përmes kësaj qendre të ofrohet masa e ekonomisë operative të kujdesit për rajonin e Komunës së Gostivarit, përmes organizatës joqeveritare të përzgjedhur – Qendra për Resurse në Gostivar. Trajnimet në kuadër të këtij programi janë në vazhdimësi, me pjesëmarrjen e 12 personave të papunë, me mundësi punësimi të tyre, të cilët këtë shërbim do ta ofrojnë direkt tek përdoruesit e fundit nga rajoni i Pollogut.”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska.

Ambasadorja e Zvicrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Veronique Hulmann, dhe përfaqësues i UNDP-së, Armen Grigoryan, theksuan se gjithmonë do të mbështesin projekte të këtilla nga të cilët përfiton e gjithë shoqëria në veçanti personat me aftësi ndryshe.

Qendra është vendosur te ish-kolegjit “Jahja Kemal” në Gostivar, aty ku është vendosur edhe Qendra për autizëm “Blue Pazzel” dhe Qendra rinore “iCan”.