Grabitet sërish pompa “Shell” në Prishtinë, dy hajna të armatosur futen brenda dhe ‘avullojnë’ paratë

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Rastet më të shpeshta për të cilat ka raportuar në vazhdimësi Gazeta Sinjali kanë ndodhur edhe në pompat e kompanisë “Shell Petrol”.

Marketing

Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur edhe sot, te pika e kësaj kompanie që ndodhet në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë.

Sinjali mëson se dy persona të armatosur kanë hyrë brenda pompës dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që të marrin një shumë të parave të gatshme dhe më pas kanë ikur me automjetin e tyre.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar edhe punëtorët e kompanisë, të cilët kanë deklaruar se të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje ’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.