Grashkoska: Inspektorët brenda javës, 4635 kontrolle

Prej 30 nëntor deri më 6 dhjetor, gjashtë inspektoratet kanë realizuar 4635 kontrolle, pjesa më e madhe e të cilëve kanë të bëjnë me respektimin e masave anti Kovid. Inspektorët e Inspektoratit të Tregut kanë kryer 3129 kontrolle dhe 490 inspektime të jashtëzakonshme në objektet e gastronomisë.
“Në bazë të kontrolleve të kryera te subjekte të ndryshme nga ana e inspektorëve të tregut, janë shqiptuar 30 padi dhe 44 vendime për gjoba në bazë të ligjit që punon inspektorati. Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Popullsisë nga Sëmundjet Ngjitëse, inspektorët e tregut kanë sjellë 4 vendime për ndalesë të punës të katër objekteve hotelerike, edhe atë tre në Shkup dhe një në Gostivar, pasi është konstatuar se nuk e respektojnë protokollin, përkatësisht të njëjtit kanë punuar pas orës 21 dhe me më shumë mysafirë në tavolinë se sa është e lejuar.”,- tha kryetarja e Këshillit të Inspektimit, Magdalena Filipovska Grashkoska.
Inspektorati Shëndetësor Sanitar në këtë periudhë ka lëshuar 12294 vendime për vetizolim të personave të infektuar apo atyre që kanë qenë në kontakt me persona të infektuar nga Kovid-19.
“Ka kryer gjithsej edhe 92 inspektime të subjekteve në kompetencë të tyre lidhur me protokollet për mbrojtjen e personelit mjekësor për pranim dhe trajtim të pacientëve me Kovid-19, me ç’rast janë konstatuar 16 parregullsi.”,- u shpreh Filipovska Grashkoska.
Inspektorati Shëndetësor inicion inspektime edhe për vdekjen e të gjithë pacientëve të moshës së re. Deri tani janë iniciuar 25 inspektime të jashtëzakonshme, tre në javën e fundit. Për pjesën më të madhe është iniciuar edhe analizë profesionale nga Ministria e Shëndetësisë dhe Oda e Mjekëve për të konstatuar nëse ka pasur apo jo lëshim nga ana e mjekëve. Agjencia e barnave ka kryer 25 kontrolle lidhur me çmimin e mjeteve dezinfektuese për Kovid-19, me ç’rast nuk janë konstatuar parregullsi. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kryer 318 kontrolle në disa qytete të vendit, në markete, objekte hotelerike, mishtore dhe objekte prodhuese, me ç’rast janë konstatuar parregullsi sa i përket moskryerjes së kontrolleve shëndetësore, mosmarrje të masave higjienike, për çka janë dhënë 5 vendime dhe 19 këshillime. Inspektorati i Ambientit Jetësor javën e kaluar ka kryer 40 kontrolle, me ç’rast pas konstatimit të parregullsive janë shqiptuar dy padi për nxjerrje të rërës nga shtrati i lumit dhe 15 vendime për obligueshmëri të matjes së misioneve të ajrit nga ana e laboratorëve të akredituar.
Ndërkohë, Inspektorati i Punës ka realizuar 489 kontrolle te punëdhënësit dhe janë sjellë 18 vendime për konstatimin e parregullsive lidhur me marrëdhëniet e punës. Inspektorati i Transportit në periudhën e njëjtë ka kryer 52 kontrolle, me ç’rast janë shqiptuar dy padi, dy vendime dhe tri gjoba.
Marketing