Me qëllim të zvogëlimit të vdekjes së lehonave, dhe avancimit të mbrojtjes shëndetësore të grave dhe fëmijëve, në Maqedoninë e Veriut të gjitha kontrollat gjinekologjike dhe mikrobiologjike, analizat biokimike duke përfshirë edhe vet lindjen për secilën grua shtatzënë, qytetare të Maqedonisë së Veriut, pa dallim nëse ka sigurim shëndetësor ose jo, janë pa pagesë.
Njësoj, tani më shtatë vite, gjegjësisht nga prilli i vitit 2012, gratë e moshës 24 deri 60 vjeç kanë të drejtë të bëjnë PAP teste pa pagesë. Por, vetëm 16% e grave të kësaj grup moshe i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për PAP test pa pagesë.
Të tjerat, edhe pse kanë marrë ftesë të rregullt që përmes këtij testi të kontrollojnë nëse kanë sëmundje parakancerogjene ose malinje në qafën e mitres, nuk janë paraqitur për kontroll gjinekologjik. Për fat të keq, çdo ditë e më shpesh ndodh që pacientet të pohojnë që edhe pse këto kontrolla janë pa pagesë, gjinekologët e tyre amë u kërkojnë të holla për të njejtat.
Sipas Fondit për Sigurim Shëndetësor, tek gjinekologët e zgjedhur, duhet të jenë pa pagesë kontrollat diagnostifikuese me eko, kolposkopi dhe marrje e briseve. Dr. Dushko Filipovski, kryetar i Shoqatës së gjinekologëve privatë, sqaron se PAP testi është pa pagesë çdo tri vite dhe se për ta kryer të njejtin thirren pacientet e sipas moshës e programit të paracaktuar.
Për PAP testin, një herë në vit paguhet participim prej 60 denarë. Rregullat e pranuara botërisht thonë se nëse tre testet e fundit janë në rregull, testi i ardhshëm bëhet pas tri vitesh – thotë Dr. Filipovski. Nëse ndodh që gjinekologu i zgjedhur kërkon të holla për kontrollën falas, të siguruarat duhet t’ia bëjnë me dije se i djnë të drejtat e tyre dhe se kontrolli te mjeku i zgjedhur nuk paguhet, këshillojnë nga Fondi.
Në raste kur insistohet për pagesë, duhet të kërkojnë llogari fiskale për shërbimet mjekësore të kryera dhe ta informojnl Fondit, qoftë përmes postës ose në mënyrë elektronike, e të bashkëngjesin fotokopje të dokumentacionit fiskal – thonë nga Fondi.(koha.mk)