Me 2019 gratë kanë zënë 32 për qind të ulëseve në parlamentet shtetërore në Bashkimin Evropian.
Sipas Eurostat, gratë kanë zënë 32 për qind të ulëseve në parlamentet shtetërore në Bashkimin Evropian, më 2019. Kjo përqindje është rritur nga viti 2003, kur gratë zinin vetëm 21 për qind të ulëseve në parlamentet shtetërore.
Përqindja më e lartë e grave në parlament është në Suedi
Teksa përqindja e deputeteve dallon nga vendi në vend në BE, asnjë shtet evropian s’ka pasur më shumë deputete se Suedia, sipas të dhënave të Eurostatit, të publikuara për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Më 2019, Kuvendi i Suedisë kishte në përbërje 48 për qind deputete, ai i Finlandës 47, ndërsa Belgjika e Spanja kishin nga 42 për qind.
Në shkallën më të ulët janë Hungaria me 12, Malta me 15, Qipro 18 e Kroacia dhe Rumania me nga 20.
Më shumë se gjysma e kabinetit qeveritar përbëhet nga gratë në Finlandë e Suedi
Përqindja e grave, pjesë e kabinetit qeveritar, në BE është ngritur nga 23 për qind më 2003 në 31 për qind më 2019.
Ku prin Finlanda me 58 për qind të kabinetit të përbërë nga gratë, e pasuar nga Suedia me 52 dhe Spanja e Austria kanë nga 50 për qind, ndërsa e Franca ka 49.
Kurse Malta ka vetëm nëntë për qind, e ndjekur nga Greqia me 10, Estonia me 13 e Hungaria me 14.
Numri i presidenteve dhe kryeministreve në 27 shtetet e Bashkimit Evropian është rritur.
Në vitin 2019 ishin katër kryeministre në BE, derisa më 2003 s’kishte asnjë.
Kosova ka 39 deputete, apo 32.5 për qind të shpërndarjes totale. Me këtë përqindje, Kosova do të qëndronte në grafikën e Eurostatit afër Gjermanisë dhe Holandës.