52 grekët e shpallur “non grata” nuk do të kenë mundësi që të shkelin në Shqipëri e pakta për një periudhë 5-vjeçare, që është minimumi i parashikimeve ligjore.
Ligji “për të huajt”, i ndryshuar në vitin 2016, i jep të drejtë ministrit të Brendshëm të shpallë një person të padëshiruar me anë të një urdhri të argumentuar. Arsyet që parashikohen në ligj, të enjten në Bularat jo vetëm që u tejkaluan, por ishin edhe në kufinjtë e elementëve të veprave penale, për të cilat 11 shtetas u proceduan në gjendje të lirë.
Lista e plotë me 52 personat “non grata”, ku bën pjesë edhe eurodepudetja qipriote Eleni Theocharos, nuk është bërë ende publike. Nisur edhe nga precedentët e mëparshëm, burime nga Ministria e Brendshme thonë se ndaj tyre mund të lihet në fuqi refuzimi i hyrjes apo qëndrimit në Shqipëri “pa afat”, që nënkupton refuzimin e përhershëm.
Po sipas burimeve, një masë e tillë është ndërmarrë disa kohë më parë edhe ndaj një historiani turk, i cili gjatë një vizite në Shqipëri ofendoi dhe bëri thirrje kundër heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeu.
Sipas ligjit, i huaji i shpallur i padëshiruar mund të kërkojë rishikimin e vendimit vetëm në rast se aktet për të cilat penalizohet i ka kryer në moshë të mitur.
Ndërkohë, Prokuroria e Gjirokastrës ka regjistruar hetimet për nxitjen e urrejtjes dhe shpërndarje të simboleve që synojnë përmbysjen e rendit kushtetues të kryer në bashkëpunim. Organi i akuzës nuk ka vendosur ende nëse për veprën tjetër të referuar nga policia, atë të kalimit të paligjshëm të kufirit, do të ketë apo jo procedim penal.
Hetimi do të kryhet ndaj 12 personave që gjatë të enjtes në mbrëmje u shoqëruan dhe u pyetën për thirrjet antishqiptare në Bularat. Por, përveç referimit në prokurori për incidentin, antiterrori në Policinë e Shtetit do të vazhdojë të jetë pjesë e hetimeve, përderisa bëhet fjalë për vepra kundër rendit kushtetues.
Mes veprimeve të antiterrorit po tentohet të hidhet dritë nëse udhëtimi i dhjetra shtetasve grekë në ceremoninë e varrimit të Kacifas ishte apo jo i sponsorizuar.