Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka përshëndetur vendimin e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar dialogun.
Biden kritikon administratën Trump se “nuk ka arritur të bashkërendojë me emisarët evropianë, të cilët kanë ndërmjetësuar dialogun mes dy vendeve për afro një dekadë” gjatë planifikimit të takimit të qershorit në Shtëpinë e Bardhë, njofton Klan Kosova
“Megjithëse takimi u anulua, partnerët tanë evropianë dëgjuan një mesazh të qartë. Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me partnerët evropianë, jo t’u kthejnë atyre shpinën. Kjo është shpresa më e mirë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që do të hapte një të ardhme më të paqtë, më të begatë dhe evropiane për të dy vendet,” shkruan Biden në Twitter.
Përfaqësuesi i Presidentit Trump në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell reagoi menjëherë ndaj deklaratës duke e akuzuar zotin Biden se po e politizon procesin e dialogut mes dy vendeve.
Ambasadori Grenell në një seri postimesh në Twitter, garanton “se asgjë nuk do të avancojë para zgjedhjeve të nëntorit dhe se populli i Kosovës dhe Serbisë do të detyrohen të presin përsëri që të mos përdoren nga politikanët”.
“Në dallim nga taktika e llafeve pa vepra e Biden-it,” shprehet më tej zoti Grenell, “administrata Trump është e përqëndruar tek hedhja e hapave të parë të rëndësishëm të normalizimit ekonomik mes dy vendeve”.
“Populli i Kosovës dhe ai i Serbisë e dinë se nuk ka krahasim mes tetë vjet premtimesh boshe të administratës Obama-Biden dhe veprave të administratës Trump”.
Grenell përmend marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor e rrugor mes dy vendeve të arritura me angazhimin amerikan si shembull se administrata Trump ka arritur “rezultate të dëshiruara prej kohësh dhe Joe Biden vetëm vazhdon e flet, ashtu siç ka bërë për 40 vjet në Uashington”.
Biden mes tjerash thotë se Grenell ka qenë gabim në thuajse çdo vendim të rëndësishëm të politikës së jashtme, prandaj “nuk ka asgjë për t’u çuditur që ai përsëri ofron vetëm fjalë e premtime boshe për popullin e Kosovës e Serbisë”.